Berisha paralajmërim të fortë Ramës për marrëveshjen e detit: E kalon po kalove mbi trupat tanë!
‘Ky s’mund ta kalojë atë po s’kaloi mbi trupat tanë! Në mënyrë absolute asnjë centimetër. Do ta paguajë!’, kështu deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha jashtë Kuvendit, lidhur me marrëveshjen e detit me Greqinë.
‘Nuk e dinë që po ngjallin një urrejtje dhe zemërim masiv te shqiptarët! Ministri i Jashtëm grek thotë që fituam me 12 milje zgjerimin e ujrave. Të gjithë ata që mendojnë se kjo është deklaratë propagandistike gabojnë! Kjo deklaratë është 100% e vërtetë. Edi Rama ka dorëzuar fushat e gazit më të mëdha të Mesdheut dhe Jonit. Gazit e sigurtë por edhe naftës! Sipas marrëveshjes sonë i takonte 100% Shqipërisë.
Marrëveshja e tij është ‘po të jap thërrime dhe po mbaj llokmën për vete’. Ky s’mund ta kalojë atë po s’kaloi mbi trupat tanë! Në mënyrë absolute asnjë centimetër. Do ta paguajë!’, theksoi Berisha.
Ish-kryeministri foli edhe për ekstradimin e dëshmitarit të çështjes Habilaj-Tahiri, Nazer Seitit dhe përjashtimin e Edmond Spahos nga Kuvendi, kreut të grupit parlamentar demokrat, duke shpjeguar:
‘Një bandë hajdutësh të lidhur me një mijë fije krime që mjerisht për këtë popull quhet qeveri në një akt të pashembullt përjashtoi kryetarin e Grupit Parlamentar për të krijuar një situatë të cilën ta kalojë hajdutërisht ligjin e hajnisë më të madhe aeroportin Habilaj. Kështu po e quaj se po bëhet me një çmim 5 apo 6 herë më të madh se aeroporti i Kukësit.
Çdo qytetar duhet ta dijë se çfarë është mbi 20 milion shkon në xhepat e Edi Ramës.
E bën këtë akt të paprecedentë sepse janë të ngërthyer në një skandal të tmerrshëm dhe të paprecedentë, Edi Rama në shkelje të çdo ligji dhe kushtetutës ka përzënë, pa ekstraduar personin kyç të bandës së Habilajve me urdhër të Saimir Tahirit vetëm 2 ditë pasi ai kishte shprehur vukllnetin për t’u bërë dëshmitar i penduar, i mbrojtur i drejtësisë.
Mjaftoi ky lajm që ai të përzihej me lecka në qeli, duke shkelur kushtetutën. Sipas saj ndërprerjen e hetimeve mund ta bëjë vetëm prokurori, askush tjetër, as presidenti i Republikës!’
Seanca e sotme plenare në Kuvend nisi me tensione pasi punonjësit e Gardës i kanë kontrolluar deputetët para se të futen në Kuvend.
Të revoltuar deputetët e Partisë Demokratike u ngritën të gjithë në foltore dhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ndërpreu për disa minuta seancën.
Mirëpo në rinisje, demokratët vazhduan revoltën e tyre dhe Ruçi përjashtoi nga seanca deputetin Edmond Spaho, për shkak se kërkonte të flisnin për ekstradimin e Nazer Seitit, dëshmitarit kyç në çështjet Habilaj-Tahiri.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



