Macron apo Le Pen të dielën?
Franca mes Macron dhe Le Pen
Mbi 40 milionë zgjedhës francezë kanë mundësi të zgjedhin më 7 Maj mes liberalit Macron dhe ekstremistes së djathtë Le Pen. Partia e saj “Front National” lufton me të gjitha mjetet për çdo votë për të fituar balotazhin.
Qysh në raundin e parë Laurence David-Moalic ishte plot shpresë, që kandidati i preferuar i saj Emmanuel Macron do të fitojë. Laurence David-Moalic punon në zyrën e tatimeve në qytetin verior të Francës, Amiens, vendlindja e Macron. Edhe pse për të asnjëherë politika nuk ka pasur rëndësi, ajo ka disa muaj që e investon të gjithë kohën e lirë të saj për lëvizjen e Macron „En Marche” (përpara). “Emmanuel Macron ka një mënyrë të hapur dhe pozitive të menduari, ai do të veprojë dhe t’i sjellë të gjithë bashkë”, thotë ajo. Laurence nuk do të shohë se si i gjithë vendi mund të zhvendoset në spektrin e djathtë ekstrem.
Dështimi i industrisë, papunësi e lartë – këto janë arsye, përse shumë vetë në rajonin Amiens votojnë për Frontin National. Por Laurence është i bindur që Macron do të triumfojë në balotazh kundrejt populistes së djathtë Marine Le Pen. “Ne kemi një detyrë të vështirë përpara. Sepse Emmanuel Macron si president duhet të ketë edhe sukses. Në rast të kundërt pas pesë vjetësh vërtetë që Front National mund të marrë timonin.”
Front National mosbesues
Por ata që duan ta pengojnë pikërisht këtë janë mbështetësit e Front National. Tani ata synojnë të mbledhin sa më shumë vota të jetë e mundur. Nicolas Versaen në raundin e parë jo vetëm ka zgjedhur Marine Le Pen, por ai edhe ka vëzhguar numërimin e votave në qendrën e tij elektorale, për shkak të mosbesimit ndaj të gjithë atyrë që nuk bëjnë pjesë në Front National. “Ne kontrollojmë të gjithë nga pak dhe shohim, nëse ka mashtrim elektoral. Një gjë e tillë ka ndodhur. Ne kemi nuk kemi nga radhët tona shumë kryetarë bashkie apo këshilltarë bashkiakë, ndaj kundërshtrarët tanë janë shumë më të pranishëm në numërimin e votave. Ata janë kudo në krye”, thotë ai.
Nicolas e edhe prindërit e tij ishin të bindur që Marine Le Pen do të kryesojë pas raundit të parë. Por tani ata janë paksa të zhgënjyer, ndonëse shefja e ekstremit të djathtë do të dalë në balotazh.
Megjithatë në rajonin Amiens ka shumë që nuk duan të zgjedhin liberalin Macron. Ish-bankieri konsiderohet nga shumë francezë si kandidat i botës së financave dhe industrisë së rëndë. Laurence David Moalic dhe mbështetësit e tjerë të lëvizjes „En Marche” duan ta ndryshojnë këtë imazh. “Ne shkojmë shtëpi më shtëpi, kërkojmë dialogun. Ne duam të jemi të hapur. Por nëse ndokush nuk do të na dëgjojë, është e vështirë ta bindësh. Kush nuk dëgjon, nuk mund të kuptojë. Unë në nivel lokal gjithmonë them: hajdeni dhe na dëgjoni një herë, çfarë ofrojmë ne!”
Synimi për të marrë votat e Melenchon
Ekstremistët e djathtë në të kundërt ndjekin një tjetër strategji. Ata përpiqen të mbledhin vota sa më shumë të jetë e mundur edhe në kampin e së majtës ekstreme, si këtu në zonën elektorale të ekstremistit të majtë Jean-Luc Melenchon, i cili nuk doli në balotazh.
Qëllimi i tyre është, që të krijojnë një aleancë ekstreme kundër forcave të moderuara. Nicolas Versaen, anëtar i Front National:
“Ne shohim në cdo qendër votimi se si janë shpërndarë votat. Këtu në lagjen Saint-Leu banojnë shumë njerëz, që nuk fitojnë mirë. Këtu kryeson Jean-Luc Melenchon. Prej këtij grupi do të vijnë shumë tek ne, sepse këta zgjedhës nuk e duan si president kandidatin e bankave të mëdha.” Laurence i konsideron të tilla argumenta thjeshtë si propagandë. Ajo do ta mbështesë edhe më fort Macron dhe për zgjedhjet parlamentare në qershor do të kandidojë për lëvizjen e tij „En Marche”. Ajo mendon se ardhmja e Francës është në rrezik. Më e rëndësishmja është që Grande Nation të mbetet kozmopolit dhe pro-europian.
Replika të forta mes Macron dhe Le Pen
Të dy kandidatët për president në Francë, Emmanuel Macron e Marine Le Pen zhvilluan një duel të ashpër televiziv të mërkurën. Macron akuzoi rivalen për përçarje të shoqërisë, ndërsa Le Pen, Macron për brutalitet social.
Që në fillim të duelit (04.05.) e sulmoi kandidatja e Front National, ish-ministrin e Ekonomisë dhe socialliberalin, Emmanuel Macron. Ai qëndron për “brutalitetin social” dhe “për luftën e të gjithëve kundër të gjithëve”, tha Le Pen. Veten ajo e stilizoi si “kandidate e popullit”.
Macron: Le Pen fyen njerëzit për shkak të prejardhjes
Ndër sa Macron akuzoi rivalen e tij, se nuk bën propozime konkrete për të luftuar papunësinë. Sipas tij, ajo nuk mban vetëm emrin e të atit, por ndjek edhe trashëgiminë e tij. Le Pen përhap “gënjeshtra” dhe “budallallëqe”, sulmoi Macron. Sipas tij ajo simbolizon “shpirtin e dështimit” dhe jep një imazh negativ të Francës. Macron e kundërshtoi këtë strategji, duke thënë se ai dëshiron të bazohet në sukseset dhe fuqinë e Francës.
Politikani pa parti, Macron i tha Le Pen se nuk bën propozime konkrete për problemet ekonomike të Francës, por vetëm e përçan shoqërinë dhe fyen njerëzit për shkak të origjinës. Ndërsa Le Pen i hodhi poshtë këto duke theksuar se “kjo është kënga e vjetër”. Ajo theksoi planin e saj për t’u kthyer tek valuta e vjetër franceze. Euro është “valuta e bankave dhe jo e popullit”, tha ajo.
Le Pen: Franca qeveriset ose nga unë ose zonja Merkel
Me sa duket Le Pen shikon konkurrencë jo vetëm tek Macron, por edhe Angela Merkel. Nga e diela Franca do të qeveriset patjetër nga një grua, tha ajo, por nëse nga unë, apo nga Angela Merkel, kjo mbetet të shihet. Macron, nuk do të bëjë asgjë, pa miratimin e Merkelit, deklaroi Le Pen. “Ka disbalanca mes Francës dhe Gjermanisë, që në të vërtetë janë embrionet e një lufte”, tha ajo. Në debatin e mëparshëm, Le Pen kishte thënë nuk dua të jem zëvendëskancelarja e Merkelit.
Pas duelit, spektatorët vlerësuan më mirë deklaratat e Macron. 63% vlerësuan Macron, dhe vetëm 34% Le Pen, raportoi televizioni BFMTV. Instituti Elabe kishte pyetur shikuesit në debatin që zgjati dy orë e gjysmë.
Brigitte Macron-gruaja 24 vjet më e madhe e Emannuel Macron
Në portretet e Brigitte Macron, shpesh tematizohet mosha e saj, 24 vjet më e madhe se Emmanuel Macron. Por kush është kjo grua?
Kur u publikuan më 23 prill rezultatet e para të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, Emmanuel Macron që kryesonte ndaj kandidates populiste Le Pen, u ngjit në skenën e lëvizjes “En Marche!”- Përpara nën brohoritjen e përkrahësve. Por 39 vjeçari nuk ishte vetëm. Dorë për dore me të u ngjit edhe gruaja e tij, Brigitte, 64 vjeç. Në radhët e para një grua formon me duar zemrën dhe thërret – “Brigitte! Brigitte! Brigitte!”
Dashuria e Emmanuel Macron, Brigitte Macron, lindur Trogneux, mësueses së frëngjishtes e latinishtes duket se është pranuar nga francezët. Në të njëjtën kohë ajo kthehet edhe në tabelë qitjeje për kundërshtarët e Emmanuel Macron. Kush është kjo grua që në fillim të karrierës së tij ra në sy për fundet e shkurtër e flokët e bjondizuar?
Historia në “Paris Match”
Brigitte Trogneux është vajza e vogël e gjashë fëmijëve të Simone dhe Jean Trogneux nga Amiens, një qytet universitar, 140 km larg Parisit. Ajo është rritur në një familje të pasur, pronare e një manufakture çokollatash, e njohur për specialitetin “Macrons d’Amiens”.
Më shumë nuk dihet për të shkuarën e gruas së Emmanuel Macron. Me bashkëshortin e parë, bankierin André Louis Auzière, ajo ka dy vajza dhe një djalë. Deri para dy vitesh Brigitte Macron punonte si mësuese, pastaj e la punën për t’iu kushtuar karrierës së bashkëshortit Macron.
Çifti i famshëm i Francës është njohur në grupin e teatrit të shkollës jezuite “La Providence” në Amiens. Nxënësi i atëhershëm 17 vjeçar dhe mësuesja 41 vjeçare punonin së bashku për inskenimin e pjesës “Arti i Komedisë”. “Ndjeja që po lëkundesha, por edhe ai”, ka thënë Brigitte Macron kundrejt “Paris Match”, një nga revistat ilustruese më të njohura franceze.
“Pavarësisht se çfarë bën ti, unë do të martohem me ty”
„France 3″ ka publikuar videon e pjesës teatrale të vitit 1993, ku Macron qëndron në cep i drojtur. Macron ndërroi shkollë vitet e fundit dhe u fut në gjimnazin elitar parizien Henri IV, ndërkohë që mësuesja qëndroi në Amiens. Megjithatë të dy e ruajtën kontaktin, telefononin me orë herë pas here. Revista “Paris Match” ka publíkuar historinë e dashurisë dhe fjalinë e njohur ndërkohë që Macron i ka thënë mësuese së tij. “Pavarësisht se çfarë bën ti, unë do të martohem me ty.”
Në vitin 2007 kjo dëshirë u bë realitet. Brigitte Auzière ofroi divorcin dhe u bashkua me Emmanuelin në Paris. Kur Macron u bë person i njohur publik, francezët e kishin të vështirë fillimisht të mësoheshin me çiftin me dallim moshe.
Macron – simpatik për femrat
Tani kjo lidhje e pazakontë nuk habit më njeri, madje femrat e quajnë të guximshëm përkushtimin publik të Emmanuel Macron për këtë femër. Për to, kjo lidhje të thotë shumë për një njeri që arriti të bindë një grua dukshëm më të madhe në moshë, dhe tani po përpiqet të bindë një vend të gjithë.
Brigitte Macron e ka shoqëruar bashkëshortin në fushatën zgjedhore. Shpesh ajo qëndron në publik duke shikuar me buzëqeshje Emmanuel Macron. Por Brigitte Macron luan rol aktiv edhe në strategjinë e fushatës zgjedhore të bashkëshortit dhe organizimin e tubimeve publike. Ndryshe nga kryetarja e Le Pen, çifti Macron e lejon publikun francez t’i hedhë një vështrim jetës së tij private. Pavarësisht zërave se në këtë prezantim ka edhe inskenim, gruaja që ka shanse të jetë zonja e parë e Francës më 7 Maj, është mjaft e lirshme kur flet para mediave. “Pse duhet që Macron të zgjidhet këtë vit president? Përfytyroni si do të dukem unë në vitin 2022?”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco










