E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ermioni Cekani, drejtoresha që përdor postin publik për biznesin e bashkëshortit
Publik News

Ermioni Cekani, drejtoresha që përdor postin publik për biznesin e bashkëshortit

Paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë për ushtrimin e një funksioni të rëndësishëm publik, por zyrën dhe detyrën shtetërore e ka vënë në shërbim të interesave të saj private, konkretisht biznesit të bashkëshortit. Drejtoresha e Zyrës Arsimore Kamëz, Ermioni Cekani, është në konflikt të dukshëm interesi, pasi shfrytëzon prej disa vitesh funksionin publik, për reklamimin dhe zhvillimin e biznesit të bashkëshortit të saj, Sejdin Cekani. Zonja, në bashkëpunim drejtuesit shkollave, të cilët i ka emëruar vetë, ka shitur librat e saj, të botuar nga shtëpia botuese e bashkëshortit, në shkolla jo publike dhe publike në Kamëz, deri në datë 13.10.2017. Gjithashtu, Ermioni Cekani, për vite me radhë, ka zhvilluar trajnime të pa akredituara nga Ministria e Arsimit, me mësues të arsimit parashkollor, brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke përdorur si influencë funksionin publik, për interesa të biznesit të familjes së saj. Ndoshta nga pakujdesia apo nga nxitimi, konflikti i interesit është pranuar edhe nga vetë Ermioni Cekani, e cila për të mbuluar gjurmët e veprimtarisë së saj, ka firmosur një urdhër që ndalon shitjen e librave të saj në shkollat e Kamzës, por ka dalë zbuluar, sepse urdhrin e ka firmosur katër vite pasi kishte marrë detyrën, pra katër vite pasi ishte në konflikt interesi.

Fakte dhe rrethana
Sejdin Cekani, me lidhje pasurore dhe familjare të drejtpërdrejtë me zonjën Ermioni Cekani, rezulton themelues dhe pronar i Shtëpisë Botuese ‘POLIS’. Kompania ‘BOTIMET POLIS’ është themeluar në vitin 2010 dhe ka si objekt veprimtarie botime, promovime, trajnim dhe certifikim të punonjësve arsimorë, projekte dhe aktivitete në fushën e librit. Në datat 28/09/2015 dhe 06/01/2017, bashkëshorti i drejtoreshës së Zyrës Arsimore Kamëz rezulton se ka ndryshuar objektin e veprimtarisë së kompanisë, duke shtuar redaktime dhe shitje librash, në përputhje me veprimtarinë e zonjës Cekani, e emëruar në këtë post pas zgjedhjeve parlamentare të 2013. Shtëpia Botuese “POLIS” ka botuar libra me autore Ermioni Cekani, për edukatoret e arsimit parashkollor, si dhe libra e fletore pune për fëmijët e grupmoshave 3-4 vjeç, 4-5 vjeç dhe 5-6 vjeç.

Trajnimet e paligjshme

Zonja Cekani, duke shfrytëzuar funksionin publik dhe ndikimin mbi personelin arsimor, ka organizuar trajnime me edukatoret e kopshteve publike dhe jo publike, me qëllim për t’u shitur librat e saj, të botuara në shtëpinë botuese të bashkëshortit. Trajnimet përputhen gjithashtu me objektin e kompanisë së bashkëshortit. Por, trajnimet janë zhvilluar në mënyrë tërësisht ilegale. Pse? Sepse Shtëpia Botuese ‘POLIS’ ka njoftuar akreditimin e trajnimeve me trajnuese Ermioni Cekani në janar të vitit 2018, që do të thotë trajnimet e zhvilluara para kësaj date janë të paligjshme.

Megjithatë, në shumë raste, drejtoresha e Zyrës Arsimore Kamëz, ka zhvilluar trajnime edhe në rrethe të ndryshme të vendit, po për interesa të biznesit të saj familjar, madje edhe në orarin zyrtar të punës. Zonja e ka shtrirë aktivitetin e saj edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Nga verifikimi i hyrje-daljeve në pikat e kalimit kufitar, zonja Cekani, rezulton se gjatë muajt korrik të vitit 2017, ka qëndruar më shumë në Kosovë, kur duhet të qëndronte në detyrë. Ajo ka zhvilluar trajnime me edukatoret, si dhe ka promovuar librat e saj, në datën 9 korrik në Gjakovë, me datë 19 dhe 10 korrik në Prizren dhe me datë 29 korrik në Prishtinë.

 

Që trajnimet bëhen për të shitur librat, këtë e konfirmon vetë Botimet Polis. Ja çfarë thuhet në faqen e kompanisë: “Shtëpia Botuese “Polis”, me nr. identifikimi L01901047O, ka botuar libra për edukatoret e arsimit parashkollor, si dhe libra e fletore pune për fëmijët e grupmoshave 3-4 vjeç, 4-5 vjeç dhe 5-6 vjeç. Autorja e këtyre librave, doktore e shkencave pedagogjike Ermioni Cekani, ka një përvojë të gjatë dhe të suksesshme në fushën e arsimit parashkollor, si trajnuese, metodiste, pedagoge dhe drejtuese. Kopshtet publike ose private që i kanë përdorur këto libra kanë pasur rezultate shumë të mira, për faktin se ato, ndryshe nga shumë botime të tjera për arsimin parashkollor, janë hartuar…”.

Versioni i Ermioni Cekani për këtë situatë

Për situatën në fjalë, zonja Ermioni Cekani, ka një version tjetër. Sipas saj, institucionet arsimore publike nën juridiksionin e Zyrës Arsimore Kamëz, e kanë rreptësisht të ndaluar të blejnë librat e saj. Cekani thotë se ka firmosur një urdhër, i cili ka shkuar në çdo institucion arsimor.

Po si qëndron e vërteta?  

E vërteta është se zonja Cekani e ka firmosur këtë urdhër në datë 13.10.2017, pasi është vënë në lëvizje Ministria e Arsimit dhe pasi shumë prindër po ankoheshin se fëmijët e tyre po detyroheshin të blinin librat e saj. Zonja e ka firmosur urdhrin katër vite pasi ishte në situatën e konfliktit të interesit. Pse zonja nuk e firmosi urdhrin kur u emëruar në detyrë që në fund të vitit 2013, por u kujtua 4 vite më vonë? A ka qenë në konflikt interesi deri në datën 13.10.2017? Nëse jo, pse e ka lëshuar një urdhër të tillë kaq vonë? E vërteta është se zonja e ka përdorur zyrën shtetërore si zyrë pazari për shitjen e librave të saj. I ka përdorur drejtorët e shkollave për interesat e saj.

Neni 7, pika i ligjit nr .9367, datë 7.4.2005 për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike, parashikon që çdo zyrtar, në ushtrimin e kompetencave apo në kryerjen e detyrave të tij publike, në bazë të njohjes së tij dhe në mirëbesim, detyrohet që të bëjë vetëdeklarim paraprak, rast për rast, të ekzistencës së interesave të tij privatë, që mund të bëhen shkak për lindjen e një konflikti interesi. Zonjës në fjalë i janë dashur katër vite për t’u kujtuar.

Versioni i ILDKPKI për këtë rast

Nga një takim informal që kam zhvilluar në zyrat e ILDKPKI, mësohet se inspektorët e Inspektoriatit të Lartë i Deklarimit, Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, janë përballur me vështirësi gjatë hetimit të këtij rasti. Zonja pranoi para inspektorëve se ka bërë trajnime, pasi aktiviteti është i vërtetuar me pamje filmike, por ajo ka zhdukur çdo dokumentacion, mbi të cilin janë bazuar trajnimet. Zonja ka refuzuar t’i vërë në dispozicion ILDKPKI dokumentacionin për tematikën e trajnimeve, arsyet, modelin e certifikatës, vlerën e certifikave si dhe informacionin nëse certifikatat janë të njohura nga Ministria e Arsimit apo jo. Gjithashtu, zonja ka refuzuar që të dokumentojë pozitën e saj si trajnere, kostot e trajnimeve të shumta dhe përfitimet e saj, në kushtet kur Botimet ‘Polis’ është një biznes i mirëfilltë dhe jo një shoqatë bamirësie. Arsyeja e mungesës së bashkëpunimit të saj, me përfaqësuesit e ILDKPKI, ka të bëje me mungesën e një baze ligjore për zhvillimin e trajnimeve si dhe me mashtrimin e qindra mësuesve me disa letra pa vlerë, për një interes tjetër, që ka të bëjë me biznesin e familjar.

Një tjetër pengesë për ILDKPKI ishte edhe statusi i zonjës, e cila nuk përfshihet në grupin e zyrtarëve të nivelit të lartë, për të cilët ligji parashikon rregulla dhe sanksione më të prera dhe të ashpra, duke përfshirë edhe deklarimin dhe kontrollin e pasurisë.

Megjithatë, ILDKPKI, për këtë rast, ka arritur në disa konkluzione, si më poshtë:

…Në vlerësim të rastit në fjalë, ILDKPKI, mori të gjitha masat për verifikimin e situatës së parashtruar nga ana juaj, si rast i dyshuar i konfliktit të interesave, në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë duke konstatuar se, znj. Ermioni Cekani është emëruar Përgjegjëse e Zyrës Arsimore Kamëz në datë 28.1.2014….Për të argumentuar nëse konflikti në dukje është kthyer në konflikt faktik, kërkohet të provohet nëse ka vendimarrje (akte apo kontrata administrative etj), të miratuara nga znj. Ermioni Cekani për shkak të funksionit të saj publik, Përgjegjëse e Zyrës Arsimore, Kamëz, në prani të interesave privatë… Për sa më sipër, nga veprimet e kryera deri më datë 31.1.2018, rezultoi se znj. Ermioni Cekani, nuk ka miratuar akte apo kontrata administrative në funksionin e Përgjegjëses së Zyrës Arsimore Kamëz, me anë të të cilave të jetë realizuar shitja e librave në kopshte, në arsimin parashkollor nga personi fizik “Botimet Polis”, në pronësi të bashkëshortit të saj z. Sejdin Cekani. Shitja e këtyre botimeve është bërë si veprimtari e lirë private…

Fakti që vë sërish në lëvizje ILDKPKI

Teksa LDKPKI, si çdo institucion burokratik, pret që të gjejë një shkresë konkrete të firmosur nga zonja Ermioni Cekani, ku të thotë se e përdor zyrtarisht funksionin publik për promovimin e biznesit të bashkëshortit, po publikojmë më poshtë fotot e kopshteve publike dhe private në Kamëz, ku fëmijët kanë para librat e zonjës Cekani. Gjithsesi, konflikti i interesit, provohet nga urdhri i firmosur nga zonja Cekani, e cila pasi ka shitur dhe promovuar katër vite librat e saj, duke përdorur funksionin publik, është kujtuar të ndalojë këtë veprimtari.

Çifti vendos të legalizojë trajnimet

Pasi zonja Ermioni Cekani ka kuptuar se veprimtaria e saj e dyshimtë dhe në konflikt të hapur interesi, po merrej vesh dhe po dilte jashtë zyrave të mbyllura të shtetit, bashkëshorti i saj, Sejdin Cekani ka vendosur të legalizojë aktivitetin e tij të paligjshëm. “Me kënaqësi ju informojmë se Botimet “Polis”, me përvojë të gjatë në fushën e trajnimeve dhe të botimeve në arsimin parashkollor, është akredituar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë që të ofrojë trajnime të certifikuara për drejtueset dhe mësueset/edukatoret e arsimit parashkollor”, ka njoftuar Botimet “Polis” në 11 janar. Ndërkaq, si trajnere, Sejdin Cekani ka caktuar znj. Enkelejda Zifla, ndonëse de fakto këtë detyrë e kryen zonja Ermioni Cekani, e cila në të njëjtën kohë ushtron edhe një detyrë publike. Po para 11 janarit mbi çfarë baze ligjore është kryer aktiviteti i trajnimeve? Kush e ka financuar këtë aktivitet? Çfarë interesash fshihen pas tij? Çfarë vlere ka certifikata?

Ermioni Cekani mes 100 zyrtarëve më abuzues në Shqipëri sipas Edi Ramës

Duket se jo rastësisht, zonja Ermioni Cekani ishte pjesë e një liste të zezë, publikuar nga kryeministri Edi Rama, me emrat e 100 zyrtarëve më abuzues në zyrat e shtetit shqiptar. Lista e publikuar në korrik të vitit 2017 u vu në dispozicion të një grupi pune për reformimin rrënjësor të rrjetit të zyrave të shtetit. “Nuk është çështje Facebook-u, as qytetarët dixhitalë, nuk është çështje fletërrufesh dixhitale. Është çështje krejt tjetër e strukturuar deri në detaj dhe kush është hedhur përpjetë duke pretenduar që ka vënë re një shkelje të madhe të të drejtave të njeriut nuk di çfarë thotë”, tha kryeministri për listën.

Kjo është vetëm maja e ajsbergut

Në vijim do të njiheni me:

-Emrat e sekserëve të Ermioni Cekanin për emërime të paligjshme në arsim. (Prokuroria mund të verifikojë tablatet mes sekserëve dhe zonjës Ermioni Cekani)

-Emrat e mësuesve të emëruar në mënyrë të paligjshme, jashtë portalit ‘Mësues për Shqipërinë”.

-Mësuesit e emëruar gjatë fushatës dhe të shkarkuar më pas nga frika e trashjes së zullumit.

-Shoqet e zonjës Cekani, me banim në Tiranë, të emëruar në shkollat që janë në kompetencë të Zyrës Arsimore Kamëz.

Arsyet që kanë ‘detyruar’ zonjën të firmosë emërime të tilla le t’i gjejë prokuroria.Pamfleti.com

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.