E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Basha nuk tërhiqet përpara Fleckenstein: Mbështesim protestën dhe mosbindjen civile
Lajme

Basha nuk tërhiqet përpara Fleckenstein: Mbështesim protestën dhe mosbindjen civile

Pas një takimit të gjatë mes eurodeputetit Fleckenstein, duket se kryetari i PD-së nuk do të tërhiqet nga aksioni i nesërm për protestat dhe bllokimin e disa akseve rrugore.

Takimi mes të dytve është zbardhur nga zyra e shtypit e PD-së, e cila njofton se në bisedë Basha ka informuar eurodeputetin mbi gjëndjen aktuale, e sidomos ngjarjet e fundit që pasuan protestën në Rrugën e Kombit, taksën e re dhe burgosjen e sotme të disa prej të arrestuarve në Kukës.

Basha i ka thënë Fleckenstein se qytetarët mohojnë të paguajnë taksën e dyfishtë që Rama kërkon t’u vërë në kurriz, e kësisoj opozita do t’i bashkohet revoltës qytetare deri në mosbindje civile.

NJOFTIMI I PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, informoi raporterin e Parlamentit Europian për Shqipërinë Knut Fleckenstein se kryeministri Edi Rama po instalon në vend një sistem autokratik ku kontrollon të gjitha pushtetet, që po i përdor për të dhunuar dhe shkelur të drejta dhe liritë kushtetuese të qytetarëve.

Basha tha se qytetarët shqiptarë po vuajnë grabitjen e dyfishtë nga qeveria dhe drejtësinë me dy standarde, të kontrolluar nga qeveria. Qytetarët në burg dhe kriminelët në liri është standardi Rama për drejtësinë e kapur.

Sot 11 qytetarë të varfër janë në burg, sepse refuzojnë një taksë që nuk e paguajnë dot. Ndërsa kriminelët dhe politikanët e lidhur me krimin dhe të korruptuar si Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Damian Gjiknuri, Klement Balili, Orest Sota dhe të tjerë janë të lirë- theksoi Basha

Kryetari i PD njohu raporterin Fleckenstein me faktet që provojnë se qytetarët nga Kukësi u arrestuan në dhunim të të drejtave kushtetuese, pas mesnatës, pa prova, pa urdhërarreste dhe se prokuroria fallsifikoi proçesverbalet për kohën e arrestimit të tyre.

Me urdhër të Edi Ramës policia dhunoi sot deputetët e opozitës në tentativë për të penguar transparencën e rrëmbimit të paligjshëm dhe dhunimit të të drejtave të protestuesve dhe familjarëve dhe fëmijëve të tyre- tha Basha.

Kreu i opozitës vuri në dukje se qytetarët nuk refuzojnë pagesën e taksave, siç deklaron qeveria, por refuzojnë grabitjen e dyfishtë, refuzojnë të paguajnë dy herë për të njëjtin shërbim. Basha tha se shqiptarët paguajnë taksën e qarkullimit, e dedikuar për mirëmbajtjen e rrugëve 200 milionë euro në vit dhe për të cilën nuk ka transparencë për çfarë përdoret.

Lulzim Basha rikonfirmoi qëndrimin e Partisë Demorkatike për hapjen e negociatave pavarësisht se qeveria ka bërë regres në përmbushjen e 5 kritereve kyçe. Basha argumentoi se nga një vendim negativ për moshapjen e negociatave tyre përfiton sistemi autokrat që Rama po instalon nëpërmjet kapjes së shtetit, çka u tregua edhe sot me veprimet e paligjshme dhe të dhunshme të policisë, prokurorinë dhe gjykatën.

Kreu i opozitës theksoi se mosbindja civile dhe protesta janë reagimi i vendosur qytetar përballë grabitjes dhe padrejtësisë nga një qeveri që ka privatizuar policinë, prokurorinë dhe gjykatat për të grabitur pasuritë publike, për të terrorizuar njerëzit e thjeshtë dhe për të mos ndëshkuar krimin dhe korrupsionin.

Mosbindja civile është refuzimi që qytetarët i bëjnë grabitjes dhe padrejtësisë qeveritare theksoi kreu i opozitës. Ai e siguroi Fleckenstein se opozita do të jetë në krah të qytetarëve në çdo protestë.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.