Shqipëria, një LEGO e braktisur, që nuk mund të përfundohet…
Dritan Shan

Nuk e di deri kur do e shohim të keqen si Zotin, dhe jo si armikun tonë. Kjo do duhet te marrë fund një ditë. Ky është transformimi më i madh kulturor që duhet të kryejmë. Shqiptarët gjithnjë janë adaptuar me të keqen. Bile dhe kanë marrë formën e saj siç ndodhi me pushtuesin turk, nga i cili adoptuan krejt sistemin totalitar të shtetit, kulturën, fenë, zakonet, tingujt dhe kuzhinën, të cilat vazhdojmë t’i mbajmë akoma; apo dhe me pushtuesin komunist, ku përveçse përforcuam edhe më sistemin totalitar të vlerave, adoptuam ca me dhunë, ca me dëshirë dhe institucionalizimin e vëllavrasjes. Pse janë adoptuar kështu me të keqen, ata shqiptarë që iknin arrinin të kishin sukses në çdo vend ku shkonin, dhe ku e keqja që gjenin atje ishte më e vogël se e keqja që linin pas në Shqiperi.
Problemi është se në 4 apo 5 vitet e fundit, kur mendohet se nuk jemi më nën ndonjë sistem totalitar, dhe kur nuk jemi të detyruar të vrasim vëllanë përveçse për forcë zakoni, kanë ikur nga Shqipëria pothuaj 13% e popullsisë; numri i lindjeve nga viti 1990 në vitin 2017 ka rënë me 62%, njësoj sikur në këtë vend të kish rënë murtaja e zezë; dhe gati 60% e popullsisë shqiptare është shprehur se dëshiron të largohet nga Shqipëria, bashkë me macen apo qenin e shtëpisë, një minutë e më parë!
Këto shifra, këto fakte të verifikueshme, tregojnë se e keqja në Shqipëri është bërë aq a madhe sa kurrë ndonjëherë, aq sa karakteristika kryesore e jona – aftësia për t’u adaptuar me të keqen nuk pi më ujë – shqiptari nuk arrin më të adaptohet me të, nuk arrin më ta absorbojë të keqen që ka mbi krye, por është i detyruar t’i ikë asaj, drejt të këqijave më të vogla. Shqipëria po shkretohet, po shuhet. Pavarësisht se sa e keqja mund ta admirojë punën e vet mbi këtë vend, shqiptarët që ikin, dhe shqiptarët që nuk vijnë janë si ato copat që mungojne dhe që e bëjnë Shqipërinë e sotme t’i ngjajë një loje fëmijësh LEGO të lënë përgjysëm, të braktisur, që nuk mund të përfundohet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



