Blenë dy “Toyotat” me 3.4 mln euro, ku po fshihen dy kushërinjtë Vladi?
Dy kushërinjtë Alfred dhe Elvis Vladi me origjinë nga Dibra janë shpallur në kërkim për shkak se kishin blerë dy “Toyotat” me 3.4 mln euro.
Automjetet u tha se po vinin nga Belgjika dhe për këtë arsye u kërkua ndihma e policisë belge, ndërsa po shkëmbehet informacion edhe me agjencitë gjermane e italiane.
Të dhënat që mund të vijnë nga Belgjika janë një ndihmë për grupin hetimor, në mënyrë që të arrihet identifikimi i personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në ngjarje.
Policia Shqiptare kërkon të dijë me saktësi vendin ku janë ngarkuar makinat në Belgjikë, që më pas udhëtuan drejt Gjermanisë, Italisë dhe më pas mbërritën në Portin e Durrësit.
Përveç kushërinjve Alfred e Elvis Vladi, në emër të të cilëve ishin “Toyotat” me 3.4 milionë euro, mund të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë të pastrimit të parave.
Por ku fshihen dy kushërinjtë?
Nga verifikimi në sistemin Tims nuk figuron që dy kushërinjtë Vladi të kenë përdorur ndonjë pikë kufitare për të dalë jashtë Shqipërisë, shkruan Panorama.
Nuk përjashtohet mundësia që ata mund të jenë “arratisur”, në mënyrë ilegale, por dyshimet e Policisë janë se ata fshihen në Shqipëri. Megjithatë, për çdo rast, të dhënat dhe fotografitë e dy të kërkuarve janë shpërndarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar, në mënyrë që në rast se ata do të tentojnë të largohen, të vihen në pranga menjëherë.
Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur procedimin disiplinor për disa efektivë të Policisë Kufitare Durrës dhe Krimit Ekonomik pasi ka dyshime për rrjedhje informacioni.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



