Budina: Historia e shembjes së Teatrit vjen “era kërmë”, aktorët po përdoren
Edmond Budina, regjisor e aktor, është ndër ata njerëz që i qëndron mendimit të tij të para 20 vjetëve për mosshembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Ndonëse jo në Shqipëri, ku pa dyshim do të ishte në radhët e para të protestës, Budina e ka ndjekur çdo zhvillim të saj, debatet mes artistëve dhe pushtetit, vendimet e marra me nxitim etj.
Përmes një interviste për gazetën “Panorama”, Budina përcjell protestën dhe rezistencën e tij kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, duke iu bashkuar të gjithë atyre që janë për rikonstruksionin apo rindërtimin e këtij teatri. Budina sjell ndër mend protestën e 20 viteve më parë dhe e krahason me atë të këtyre ditëve.
“Kësaj rezistence i mungojnë personalitetet e forta që qenë njëzet vjet më parë, vendosmëria e tyre, por mbi të gjitha i mungon solidariteti, të qenurit në një front për të mirën e gjithë komunitetit”, thotë ai. Artisti bën me faj jo vetëm pozitën e sotme, por edhe opozitën e sotme dhe pozitën e djeshme. Sipas tij, ajo është po aq fajtore, që nuk bëri asgjë për artin e kulturën, por që janë ende në kohë për të ndrequr gabimet.
Z. Budina, kjo nuk është hera e parë që ju përballeni me tentativat për të shembur godinën e Teatrit Kombëtar. E mendonit se historia do të përsëritej?
Jo vetëm që kjo histori do të përsëritej, por ajo, sipas mendimit tim, është projektuar dhe ka filluar të vihet në zbatim prej vitesh. Fakti që ndërtesa e teatrit është lënë me qëllim në atë gjendje të mjerueshme, e tregon më së miri këtë. Veç kësaj, edhe e ashtuquajtura reformë e Teatrit Kombëtar nuk qe gjë tjetër, veçse një strategji afatgjatë për t’i shkëputur njerëzit e skenës prej shtëpisë së tyre. Kontratat afatshkurtra, pasiguria për të pasur vazhdimësi në punën e përditshme, në një lloj kuptimi, të heq mundësinë e të menduarit me kokën tënde, të krijon vartësinë “për bukën e gojës”. Kush kontrollon nëse një aktori duhet t’i rinovohet ose jo kontrata, drejtori, bordi, që nuk është profesional, apo ministria? Mundësia e presionit, e kërcënimit, nëse nuk ndjek vijën e nuk shkon dakord me orientimet, është e lehtë. Kjo i hap rrugë edhe korrupsionit, që për të mbajtur vendin e punës e ushqyer fëmijët, njerëzit janë të gatshëm të bëjnë çdo lloj kompromisi. Këtë po e shohim qartë gjithë këto ditë, ku një pjesë, për hir të interesave vetjake, janë të gatshëm jo vetëm të shembin teatrin, por në mënyrë të pështirë iu servilosen pushtetarëve.
Si e kujtoni përballjen me pushtetin gati 20 vjet më parë?
Ajo që më ka bërë përshtypje atëherë ishte solidariteti i madh që njerëzit e skenës kishin mes tyre. Ata ishin të gjithë në të njëjtën barrikadë për të mbrojtur jo vetëm interesat e tyre, por mbi të gjitha interesin e qytetarëve të Shqipërisë. Personalitetet e tyre ishin formuar në dekada të tëra pune e përkushtimi për artin. Teatri Kombëtar është shtëpia e të gjithëve që duan teatrin, kulturën, qytetërimin. Po ashtu, në atë kohë, edhe personalitetet politike ishin disi më të ndërgjegjësuara për të ruajtur, së paku në anën e jashtme, dinjitetin e të tregonin interes, qoftë edhe sipërfaqësisht, për kulturën. Edhe ato personalitete të pakta, që kanë mbetur prej së shkuarës, që mbronin teatrin, për fat të keq, tashmë nuk e kanë më guximin, ose interesat e tyre kanë ndryshuar. Sot, deputetët, të caktuar prej kryetarëve, nuk kanë fuqinë e duhur për të kundërshtuar një vendim, qoftë edhe kur është dukshëm i gabuar e antiligjor. Te të gjitha partitë politike në Shqipëri, për mendimin tim, nuk ka demokraci. Është kryetari ai që vendos për gjithçka e të tjerët nuk janë veçse numra ose kukulla, që duhet t’i binden. Në të kundërtën, ai të përjashton, nuk të kandidon e të pret riskun. Për rrjedhojë, pushtetarët në Shqipëri sillen sikur të jenë pronarët e vendit e bëjnë me të si t’u dojë qejfi. Edhe pse pushtetin e ke marrë me votë, kjo nuk të jep të drejtën të veprosh pa pyetur e pa marrë mendimin e askujt. Për fat të keq, kjo nuk është një e metë e sotme, por ka të bëjë edhe me të shkuarën tonë.
Cili është qëndrimi juaj në lidhje me vendimin e shembjes së godinës se vjetër, për të ngritur mbi të një godinë të re?
Nuk dua të zgjatem në argumentet se përse nuk duhet të shembet godina ekzistuese, sepse për këtë është folur shumë dhe është argumentuar më së miri. Dua vetëm të kujtoj se këtu ku jetoj, në Romë, gjen ndërtesa prej qerpiçi, tulle, guri, mermeri, pupuriti, të ndërtuara prej shekujsh dhe askujt nuk i shkon në mendje jo vetëm t’i prishë, por përkundrazi, në rastin më të parë, restaurohen. Kujtesa historike e një kombi është shënjuar edhe mbi objektet. Një ndërtesë prej mermeri ose guri të skalitur nuk do të thotë aspak se ka rëndësi më të madhe sesa ajo prej pupuliti ose qerpiçi. Varet se çfarë ajo përfaqëson.
Më vjen keq kur njerëz me një farë kulture në Shqipëri flasin me përçmim për ndërtesat e qerpiçit. Ajo është historia jonë e nuk ka pse të na vijë turp, kur ato mbartin një të shkuar. Te ne është vështir të gjesh një ndërtim të një mijë e tetëqindës dhe është fatkeqësi. Tiranës i është fshirë kujtesa prej betonizimit. Nuk ke gati asnjë ambient të Tiranës së viteve njëzet apo tridhjetë, nëse do të duhet të xhirosh diçka. Edhe nëse ajo mund të rindërtohej në atelietë e kinostudios se dikurshme, ajo nuk ekziston më, për arsye të babëzisë së njerëzve me pushtet. Pushtetarët te ne mendojnë se historia fillon në çastin që ata hipin në fron. Shembujt e ristrukturimit e rindërtimit këtu në Itali janë pa fund. Dua vetëm të kujtoj që regjioni i Lacios, që drejtohet nga e majta italiane, ka ristrukturuar shtatëdhjetë e pesë teatro të vjetra, prej të cilave tridhjetë e tetë publike e tridhjetë e shtatë private.
Kjo është kulturë, kujdes për artin e vendit tënd. Duke punuar në Cinecitta, rastësisht u ula në një kolltuk tepër të vjetër, të gërvishtur, të dalë boje. Producentja më thotë:
“A e di që në këtë kolltuk ulej Federiko Felini? Ishte kolltuku i tij i preferuar”. Pata një ndjesi të papërshkrueshme, që nuk mund të ma plotësonte asnjë fotografi, lexim apo film. Po të njëjtën ndjesi kam pasur edhe kur kam interpretuar në Teatro Valle, në Romë (ndërtuar në 1727), kur më thanë se isha shqiptari i dytë që interpretonte atje, pas Aleksandër Moisiut. Askujt nuk i shkon ndërmend të shembë teatrin në zemër të Romës, edhe pse është i vjetër. Të shembësh për të ndërtuar, në rastin konkret, më duket një papjekuri e mungesë largpamësie. Unë do të isha për moton të ristrukturojmë e të rindërtojmë.
Ju jeni për rikonstruksion, ama është thënë se gjendja e godinës është kritike, cila do ishte zgjidhja?
Kushtet e mjerueshme, në të cilat e kanë katandisur me ndërgjegje ndërtesën e Teatrit Kombëtar, pa dyshim që kërkojnë një ndërhyrje të menjëhershme. Unë do të isha për një rindërtim nga e para të teatrit ekzistues, me të gjithë parametrat e duhura. Kur mburremi për kushte shumë të mira te “Turbina”, nuk ka si të mos bëhet e njëjta gjë edhe te Teatri Kombëtar. Ai jo vetëm do të ruhet, por mund të vazhdojë të jetë funksional. Pse të mos ishte ai Teatri i Dramës Shqipe, qoftë edhe për historinë që ai mbart?
Tirana dhe Shqipëria kanë një nevojë, po ashtu të domosdoshme, për të pasur një Teatër Kombëtar, i cili shumë bukur mund të ndërtohet në një tjetër vend me të gjitha parametrat bashkëkohore. Kështu, veç katër sallave të Teatrit të sotëm (përfshi Teatrin Eksperimental), “Turbinës”, do t’i shtoheshin edhe tri ose katër sallat e Teatrit të ri Kombëtar. Atëherë po, që mund edhe të kishim gojë të kërkonim që Tirana të bëhej kryeqytet i kulturës më 2024. Një qytet si Tirana, në Perëndim, nuk i ka me pikatore sallat e teatrove e të koncerteve. Ndërsa ne, edhe atë që kemi, duam ta prishim. Hapja e dy kantiereve të ndërtimit do të hapte edhe fronte të reja pune, qoftë në ndërtim, qoftë edhe më pas në punësimin e aktorëve, regjisorëve, skenografëve, muzikantëve, punonjësve të skenës etj. Për sa i përket financimit, unë mendoj se është vetëm një justifikim se shteti nuk ka para. Mjafton të mbledhësh makinat me miliona euro brenda, të sekuestrosh pasuritë e paligjshme, të mos shpenzosh pa fund për spostime e mobilime ministrish, apo edhe të kërkosh ndihma prej vetë qytetarëve. Mundësitë e rrugët gjenden kur është vullneti i duhur.
Pse ky nxitim për ta shembur godinën? Çfarë mendoni se fshihet pas, fitim, ego, inate të vjetra…?
Ne shqiptarët shquhemi pak për kokëshkretësi dhe inatet e meritë nuk i harrojmë lehtë. Tek çdokush ngre kokë, edhe egoja e dëshira për t’u hakmarrë, qoftë edhe pas vitesh. Për mendimin tim, ajo që dominon në këtë rast është thjesht çështje interesash. E gjitha kjo histori bie “era kërmë” që larg. Fakti që nxitohet për të shembur godinën, bëhen projektligje të posaçme, në shkelje të Kushtetutës, që do të jetë një precedent edhe për ata që do vijnë më pas, tregon më së miri që këtu askujt nuk i ha meraku për teatrin e ri apo për kulturën. (Këto kohë kam folur me miq të mi krijues, pjesë e së majtës italiane dhe që të gjithë e gjejnë skandaloz faktin e këtij projektligji). Investimet në art e kulturë janë jashtëzakonisht pak. E para gjë që duhet bërë është t’u kthehet dinjiteti njerëzve e institucioneve të artit e ata të mos merren nëpër këmbë. Te ne ende vazhdohet me mentalitetin e artit militant, në funksion të pushtetit e pushtetarëve. Komedia në Greqinë e lashtë u krijua për të goditur e vënë në lojë veset njerëzore, pushtetin, korrupsionin. Arti teatror duhet të jetë kritik e i papajtueshëm me korrupsionin, ky është misioni i tij. Kur dëgjoj aktorë që thonë se nuk iu intereson se ç’bëhet përreth, mjafton të na ndërtojnë teatrin e ri, më vjen shumë keq, sepse do të thotë të mos kryesh atë mision fisnik që ka teatri. Do të thotë të bëhesh palë me pushtetin, pjesë e tij, bashkëpunëtor në korrupsion. Aktor, regjisorë, politikanë etj., para se të jenë profesionistë, janë qytetarë e duhet t’iu dhimbset ajo çka është e përbashkët.
Që prej 8 shkurtit, një pjesë artistësh, të cilëve u janë bashkuar edhe qytetarë, po rezistojnë kundër vendimit, ndërsa një pjesë e mirë u pozicionuan në anën e pushtetit. Si e komentoni këtë fakt?
Qysh në fillim e thashë, që ka një strategji të mirëpërcaktuar prej politikës për të shkatërruar teatrin e në këtë bën pjesë edhe përçarja mes komunitetit teatror. Njerëzit e teatrit ranë pre e intrigave dhe u bënë pjesë e lojës së politikës. Unë i mirëkuptoj të gjithë, sepse kush për rrogën, kush për projekte, kush për pensione të veçanta, poste etj., janë bërë mbështetës të flaktë të shembjes. Më vjen shumë keq që ata nuk janë të gjithë bashkë për të ristrukturuar teatrin ekzistues, e ndërtuar një tjetër të ri. Kjo është në interesin e të gjithë komunitetit. Për këtë ata duhet të luftonin njëzëshëm, pavarësisht ideve të ndryshme. Unë besoj se i kam të gjithë miq e sinqerisht më vjen shumë keq se si fyhen e ofendohen mes tyre me fjalorë, që nuk u kanë aspak hije. Mendoni që kjo valë do të kalojë e nesër do të jenë të gjithë së bashku në shfaqje e filma. Do të jenë të detyruar të bashkëpunojnë. Nuk di se si mund të arrihet deri në këtë pikë për hir interesash, që nuk kanë të bëjnë me profesionin. Aktorët janë në përgjithësi vanitozë e iu pëlqen kur iu përkëdhelet sedra, pikërisht këtë arriti të bëjë politika, t’iu përkëdhelë sedrën disave, duke i mikluar në mënyrë personale, duke i thirrur nga dy, nga tre. Prepotenca dhe arroganca e politikës, qysh në fillim, duhej të ishte shpërfillur prej aktorëve. Pushteti i poshtëroi, i mori nëpër këmbë, nuk i la as të shprehnin opinione dhe vetëm kur ata protestuan, filluan të ashtuquajturat dëgjesa. Them të ashtuquajturat, sepse vendimi ishte dhe është i marrë e dëgjesat ishin e janë sa për sy e faqe, për dukje.
Çfarë i mungon kësaj rezistence, krahasuar me atë të 20 viteve më parë, që arriti ta zmbrapsë vendimin e shembjes?
Kësaj rezistence i mungojnë personalitetet e forta, që qenë njëzet vjet më parë, vendosmëria e tyre, por mbi të gjitha i mungon solidariteti, të qenurit në një front për të mirën e gjithë komunitetit. Por ka një të mirë, që ka filluar të ketë një mbështetje qytetare. Ndërgjegjësimi e qytetaria kanë një rëndësi të dorës së parë në protesta të këtij lloji. I mungon mbështetja e dikurshme politike, që ishte e të gjitha krahëve. Nuk di se sa politikanë ndjekin rregullisht teatrin, por kam vënë re që as u bie ndërmend të shkojnë në teatër apo kinema. S’kam parë asnjë kryeministër të jetë në ndonjë premierë teatri, me përjashtim të Edi Ramës, në vitin 1990, kur ishte skenograf i një shfaqjeje të Arben Imamit në Durrës. Ditën e enjte, në Parlament kalon projektligji që ligjëron përfundimisht shembjen e godinës dhe nisin negociatat me privatin. Mendoni se tanimë kjo punë ka marrë fund? (Apo kishte marrë fund?) Nuk mendoj se kjo punë ka marrë fund. Është shumë e vështirë për të gjitha sa thashë më sipër, por jo e pamundur. Unë nuk mendoj se në Parlamentin shqiptar janë të gjithë rronxho bonxho, besoj të ketë mbetur ende pak qytetari, ndërgjegje, që nuk do të duan të ligjërojnë korrupsionin nëpërmjet kësaj ndodhie tepër të trishtë për demokracinë shqiptare. Unë do t’iu bëja thirrje të gjithë deputetëve të të gjitha palëve, që të mos e votojnë, sikundër edhe qeverisë që ta tërheqë atë projektligj, sepse nuk i sjell asgjë të mirë komunitetit, demokracisë e kulturës shqiptare. Është një kthim prapa.
Ka më vlerë rezistenca e artistëve?
Nëse jemi në ketë situatë, mendoj se merita është e artistëve që arritën të rezistojnë deri tani e duhet të rezistojnë edhe më tej. Unë do t’u bëja thirrje të gjithë miqve, kolegëve që të mos i mbajnë mëri njëri-tjetrit, t’i bashkohen protestës, paçka se deri tani kanë vepruar ndryshe. Është shumë më mirë të kemi shtatë apo tetë salla të ristrukturuara, të rindërtuara e të reja, sesa vetëm tri. Të mos vazhdojnë të jenë pre e politikës, sepse ajo veç i përdor për interesat e veta në një moment të caktuar e më pas nuk do t’ia dijë për ta. Qeveritë e pushtetet ndryshojnë, arti është i përjetshëm. Ata duhet të bashkohen, për të vendosur në vend dinjitetin e artit e artistit.
Si e gjykoni qëndrimin e opozitës për këtë çështje? Mendoni se ka bërë mjaftueshëm?
Për mendimin tim, opozita është po aq fajtore sa edhe pozita. Në këto vite demokracie, gjysmën kanë qenë në pushtet opozitarët e sotëm. Ç’kanë bërë ata për artin, kulturën, teatrin? Pse nuk u kujtuan të bënin një ligj të mirë për artin e kulturën, përse nuk ngulën asnjë gozhdë për të përmirësuar kushtet në teatër. Përse drejtorëve të tyre nuk iu kërkohej llogari, ose nuk shkarkoheshin nga detyra, kur nuk bënin shfaqje. Ku ishin ata kur shkatërroheshin institucionet artistike me vlera të jashtëzakonshme, si kinostudioja, estradat, teatrot e rretheve, sallat e kinemave. Përse e lanë të vidhej prona publike e t’i jepej privatit mbi baza krejtësisht klienteliste. Ata nuk janë pa faj, përkundrazi, kanë pjesën e tyre të luanit, por gjithsesi, do të thosha se tani është koha kur duhet të ndreqin gabimet e të luftojnë për të mirën jo vetëm të teatrit, por të shoqërisë shqiptare, emancipimit të saj, që është ende e prapambetur, pikërisht edhe prej moskujdesit që është treguar për artin e kulturën.
Keni pasur mundësi ta shihni në vija të përgjithshme projektin danez? Si ju duket?
E kam ndjekur me shumë vëmendje, qoftë prezantimin që iu bë projektit në Kryeministri, qoftë edhe më pas nëpërmjet shtypit, e të them të drejtën, përveç dukjes së sipërfaqshme nuk kishte asgjë. I kanë thënë edhe të tjerë para meje defektet që kishte ai projekt, pavarësisht prej emrit të madh që mund të ketë. Për të mos folur pastaj për projekt të kopjuar… po ajo është tjetër histori. Më ka bërë një përshtypje tepër negative edhe ndërhyrja, intervista e arkitektit danez, që thoshte se teatri ekzistues nuk mund të rikonstruktohet?!! Një profesionist nuk mund ta thotë kurrë këtë, sepse bie ndesh me eksperiencën botërore, po si duket atij ia kanë mbushur mendjen që shqiptarët janë një popull injorant, që mund t’ia shesësh sapunin për djathë, kur të duash. Projekti i tij m’u duk si ato reklamat që kërkojnë të të mbushin mendjen për cilësinë e lartë, por që kur i blen, i bie në të që janë krejtësisht të pavlefshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



