E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
ANALIZA/ “Mesazhet e ikjes së Xhafajt nga Qeveria, pse ngjan më shumë si luftë brenda llojit sesa si presion…
OP-ED

ANALIZA/ “Mesazhet e ikjes së Xhafajt nga Qeveria, pse ngjan më shumë si luftë brenda llojit sesa si presion…

MENTOR NAZARKO/ mentor-nazarkoLargimi i Ministrit Xhafaj në një ditë fundjave ka marrë vëmendje maksimale për shkak të mungesës së lajmeve të tjera, por jo vetëm për të: edhe për shkak të mesazheve që nënkupton, që bart ky largim i paparalajmëruar, i paimagjinueshëm deri pak ditë më përpara. Cilat mund të kenë qenë arsyet, të cilat kanë përcaktuar largimin e Xhafajt? Para se të bëj një supozim të këtyre arsyeve, të cilat, me gjasë, nuk janë asnjëherë të plota, do të ishte e drejtë të bënim një profil të ministrit Xhafaj.

ÇFARË PËRFAQËSONTE FATMIR XHAFAJ?

Xhafaj ishte ndër ata politikanë, që përfaqësonin në një kuptim vijueshmërinë e Partisë Socialiste së vjetër, nga të paktët që i kishin mbijetuar tranzicionit të udhëheqësish, që vinte prej kryesimit të Partisë Socialiste nga Edi Rama. Në këtë kuptim, ishte dikush që gëzonte simpatinë e pjesës së vjetër, elektoratit të vjetër të partisë, qoftë edhe për shkak të karrierës së tij në Partinë e Punës. Ishte dikush që vinte nga zona e Vlorës, që ishte një lloj bastioni i fortë i Partisë Socialiste; dikush që kishte pasur detyra të larta në qeveritë e mëparshme të socialistëve, qoftë duke përfshirë edhe Ministrinë e Drejtësisë. Në këtë kuptim, ishte dikush me eksperiencë të gjatë qeverisëse, pjesë pa asnjë lloj diskutimi i atyre grupimeve të konsoliduar brenda Partisë Socialiste, që kishin referenca gjeografike me atë pjesë të Vlorës, ose atë pjesë të Shqipërisë ku gjendet rrethi i Vlorës.

xhafakonference

Xhafaj ishte një ndër ideatorët, si dhe filloi të ishte një ndër ekzekutorët e Reformës në Drejtësi, e vetingut në Polici. Ishte një njeri që gëzonte një mbështetje absolute të faktorit ndërkombëtar, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe duhet supozuar edhe të faktorit europian. Pse? Gjatë periudhës së presionit të madh, që u ushtrua mbi të në lidhje me shpërthimin e çështjes së ashtuquajtur “Babale”, pati disa tregues, disa fakte, disa ngjarje që lanë të kuptohet që Xhafaj vazhdonte të ruante mbështetjen e këtij faktori perëndimor. Ishin qoftë disa deklarata të ambasadorit amerikan, qoftë disa vizita të ambasadorit gjerman në zyrë, në Holandë gjithashtu, dalje zyrtare me të publikisht, duke treguar indirekt mbështetjen për zotin Xhafaj.

Xhafaj supozohej të ishte në këtë kuptim, pra, njeriu luajal i perëndimorëve, i cili ndoshta mund të kishte siç supozohet një marrëdhënie jo solide me Kryeministrin Rama. Prapë se prapë ishte njeriu i cili u mbrojt prej Ramës, pavarësisht fushatës së madhe agresive, e cila u zhvillua ndaj Xhafajt për shkak të vëllait të tij. Në lidhje me çështjen e vëllait të zotit Xhafaj, përtej komenteve që mund të bëhen, historia moderne e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, na ofron një rast, i cili në një kuptim është i ngjashëm, atë të vëllait të Presidentit Klinton. Presidenti Klinton autorizoi një operacion të stimuluar policie për ta arrestuar atë, për shkak të përfshirjes së tij në trafikun e drogës dhe pastaj po me një akt presidencial e liroi nga burgu.

Xhafaj ishte dikush, i cili kishte tentuar dorëheqjen siç ka bërë të ditur ish-Kryeministri Majko në kohën kur vëllai i vet ishte arrestuar. Po ashtu duke reflektuar, duke respektuar një dënim të paracaktuar, të shpallur, të bërë publik edhe për shkak të opozitës, dënimin italian të vëllait të vet, vendosi ta dorëzonte atë në Itali. Prej shumëkujt brenda opozitës u komentua si hile, mirëpo çdo veprim që bënte Xhafaj, do të konsiderohej si i kritikueshëm. Në qoftë se do ta mbante në Shqipëri, do t’i thoshin që e mbajte në Shqipëri për ta favorizuar sepse kontrollon Prokurorinë apo i kontrollon Gjykatat, nëse e çonte në Itali, do i thoshin e bëre për t’iu shmangur hetimit në Shqipëri.

Xhafaj supozohet se pikërisht për shkak të kësaj pike të atakueshme në karrierën e tij, do të shërbente si pikë në të cilën do të vazhdohej të ishte tabelë qitjeje e presionit të opozitës, po pse jo e presionit edhe të këtyre grupeve kriminale që janë goditur apo priten të goditen për shkak të luftës që qeveria do të nisë, me shumë gjasë, një lufte të egër dhe të ashpër për mbylljen e lojërave të fatit.

Mbyllja e lojërave të fatit -një veprimtari, e cila ligjërisht qarkullon 700 milionë euro në vit, prej të cilit shteti fiton afro 200 milionë euro në vit, është diçka e komplikuar. Në këtë kuptim, mbyllja e bizneseve, qoftë për t’i riorganizuar ato në të ardhmen, nënkupton një ashpërsim, një egërsim të luftës edhe mediatike përkundrejt njerëzve të qeverisë dhe, pse jo, edhe ministrit Xhafaj në veçanti. Nga dikush, vazhdimi i mbështetjes së amerikanëve, vazhdimi i mbështetjes perëndimore ndaj tij, është konsideruar edhe si ato lëvizjet tipike të perëndimorëve, të cilët konsiderojnë pragmatikisht njerëz që kanë pika të dobëta, sepse janë njerëz të dëgjueshëm apo luajalë. Fakti është që Xhafaj, prej shumë kuadrove të Policisë, tregohet si dikush që e respekton Policinë, rangjet e saj, e që arriti në një farë mënyre të orientohet mirë në mes të atyre klaneve që e përbëjnë Policinë e Shtetit, me drejtues policorë, të cilët arrijnë t’i mbijetojnë ndërrimit të ministrave jo vetëm brenda një qeverie, por edhe qeverive të ndryshme dhe në këtë kuptim, dëftyen se Xhafaj ishte në një farë mënyre në rolin e tij të përshtatshëm.

Por do duhet kuptuar që kjo qeveri ka hyrë në një terren të minuar, në të cilën presionet do të vijnë, po vijnë nga të gjitha anët. Po flasim për atë që duket, por edhe për atë që nuk duket, por edhe imagjinohet. Më i fundit, ish-ministri Tahiri, u shfaq dje duke thënë që unë do të filloj të flas! E vështirë të imagjinosh se për çfarë do të fliste sepse ato që i di ai, i di vetëm ai, por në një kuptim, edhe ai nuk rreshtohej te miqtë e Xhafajt. Ndaj, largimi i zotit Xhafaj do të duhet imagjinuar si produkt, si parathënie e atij presioni të madh që është ushtruar mbi të ekskluzivisht nga brenda vendit, pse jo edhe nga brenda partisë së tij. Si luftë brenda llojit.

MESAZHET E IKJES SË TIJ. KUSH E ZËVENDËSON?

Ndaj opozita është brenda së drejtës së vet që të thotë se arriti një fitore me largimin e Xhafës. Sipas stilit të saj,-në fakt sipas stilit që imponon zoti Berisha,- opozita zakonisht e etiketon ministrin e Brendshëm të radhës si më të rrezikshmin, përfaqësues të klanit më të rrezikshëm botëror, etj. Me largimin e Tahirit, që ishte shpallur njëkohësisht më i rrezikshmi në Ballkan, e shpalli Xhafën më të rrezikshmin në Ballakn, kështu që me largimin e më të rrezikshmit në Ballkan, nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme, opozita do të duhet që të bërtasë fitore. Mirëpo, ka një pjesë interesante nga librat e rinisë, në romanin ”Ushtari i mirë Shvejk”, ku ushtarët ankoheshin prej komandantit të tyre, i cili i keqtrajtonte. Qendra dërgoi një komision, i cili verifikoi kërkesat e tyre, nuk e ndërroi komandantin dhe komandanti, në shenjë hakmarrjeje, i detyroi ushtarët e tij që të parakalonin para tij, duke thënë që ne kishim shpresë se komisioni do të na bënte ndonjë gjë, por komisioni na bëri një m** të madh. Kështu që, me gjasë, komisioni bëri diçka, komisioni largoi Xhafën, por kjo nuk do të thotë që njeriu, i cili erdhi tashmë në krye të Ministrisë së Brendshme, njeri i cili nuk ka lidhje me klanet, të cilat e drejtojnë këtë ministri, që drejtojnë Policinë e Shtetit në përgjithësi, që të mos të jetë njeri, i cili do të veprojë me ashpërsi, më së pari për të goditur grupet kriminale sipas operacioneve të paralajmëruara që kanë nisur dhe atyre të reja që lidhen me vetingun në Polici, me rezistencën që do të bëhet me mbylljen e lojërave të fatit, me fillimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi në përgjithësi. Kjo do të jetë një luftë e ashpër, e cila nënkupton një njeri rezistent, jashtë klaneve, që do të ishte mirë që të kishte eksperiencë, sidomos në fushën e rendit. Praktikisht, me vendosjen e zotit Lleshi, kemi një njeri nga fusha e ushtrisë, kemi një njeri besnik dhe luajal të Kryeministrit Rama, i cili vendoset në krye të Ministrisë së Rendit dhe në këtë kuptim opozita nuk do të duhet që të jetë shumë e lumtur dhe nga ky lajm. Ushtria drejton Policinë në rast gjendjesh të jashtëzakonshme. A jemi në një situatë si kjo?

Këto ishin disa konsiderata të para në të nxehtë, menjëherë pas largimit të një ministri, i cili ishte në një kuptim një nga ministrat me karrierë më të gjatë në historinë e pluralizmit shqiptar. Një njeri, i cili me siguri ka gëzuar dhe do të vazhdojë të gëzojë reputacion brenda Partisë Socialiste, por edhe më gjerë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.