A e lejon ligji që BKH-ja të kryejë arrestime pa Policinë e Shtetit?
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar lidhur me aksionet e fundit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilat janë zhvilluar pa përfshirjen e Policisë së Shtetit, duke theksuar se këto veprime janë në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi.
Në një intervistë për mediat, Lamallari nënvizoi se ligji i miratuar në kuadër të reformës në drejtësi i jep BKH-së të drejtën për të zbatuar masa sigurie, duke përfshirë edhe arrestimet, pa qenë e nevojshme ndërhyrja e Policisë së Shtetit në çdo rast.
“BKH ka kompetencat e saj ligjore”
Sipas ministrit, oficerët e BKH-së kanë statusin e policisë gjyqësore dhe, si të tillë, janë të autorizuar të veprojnë drejtpërdrejt për zbatimin e vendimeve të organeve të drejtësisë.
“Për sa kohë ligji e parashikon, që prej reformës në drejtësi, që oficerët e BKH-së jo vetëm të kenë atributet e policisë gjyqësore, por edhe të zbatojnë masat e sigurisë, kjo është thjesht zbatim i ligjit dhe i konceptit mbi të cilin është ndërtuar reforma,” u shpreh ai.
Vlerësime nga partnerët ndërkombëtarë
Lamallari theksoi gjithashtu se Policia e Shtetit vijon të marrë vlerësime pozitive nga partnerët ndërkombëtarë për rolin e saj në luftën kundër krimit të organizuar.
Ai përmendi konkretisht bashkëpunimin me strukturat europiane si EUROPOL dhe EUROJUST, duke theksuar rritjen e proaktivitetit të Policisë së Shtetit në operacionet e përbashkëta ndërkombëtare.
Bashkëpunimi me SPAK mbetet prioritet
I pyetur nëse veprimet e pavarura të BKH-së lidhen me një mungesë besimi nga ana e SPAK ndaj Policisë së Shtetit, ministri e hodhi poshtë këtë interpretim.
Sipas tij, bashkëpunimi mes institucioneve mbetet një detyrim ligjor dhe një prioritet i vazhdueshëm, ndërsa çdo strukturë vepron në bazë të kompetencave të përcaktuara qartë nga ligji.
“Zbatimi i masave të sigurisë është një detyrim për të gjitha strukturat e policisë gjyqësore, përfshirë edhe Policinë e Shtetit, sa herë që një vendim i tillë delegohet nga prokurori i çështjes,” përfundoi Lamallari.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



