Nga vrasja te “Principotes” e Bulicës; Kush e dha plazhin dhe si u miratua leja?
Sa më shumë detaje dalin nga dosja e vrasjes së 20-vjeçarit Luis Miguel Varela Mendez në Ksamil, aq më shumë pikëpyetje ngrihen mbi atë që ndodhi në minutat para dhe pas përleshjes fatale.
Ngjarja nuk duket më thjesht si një konflikt banal që përfundoi tragjikisht. Dëshmitë e miqve të viktimës flasin për përfshirjen e disa personave pas përplasjes fillestare, ndërsa në ngjarje rezultojnë të përfshirë edhe persona të lidhur me lokalin “Principotes”.
Njëri prej miqve të Luis Mendez ka deklaruar se ka parë personat që e kishin goditur të largoheshin me vrap në drejtim të lokalit. Një tjetër dëshmitar ka përshkruar mbërritjen e personave të tjerë gjatë konfliktit dhe ka identifikuar Sokrat Vatën si personin që mbante thikën.
Këto dëshmi e bëjnë të domosdoshëm sqarimin e plotë të rolit të secilit prej personave që kanë marrë pjesë në përleshje, pasi kemi të bëjmë me një konflikt që nisi në ambientet e një lokali, u përshkallëzua dhe përfundoi me vdekjen e një 20-vjeçari në plazh.
Por përtej dinamikës së vrasjes, ngjarja ngre edhe një tjetër çështje që lidhet me mënyrën se si është administruar hapësira publike në Ksamil.
“Principotes” dhe familja Bulica
Lokali “Principotes” lidhet me shoqërinë TORTUGA BAY, e cila, sipas të dhënave të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton në pronësi 100% të Kade Bulicës, nënës së Bekim Bulicës.
Në dokumentet zyrtare, Kade Bulica figuron si pronare dhe administratore e shoqërisë.
Ndërkohë, Bekim Bulica është raportuar si personi që administronte kompleksin “Principotes” dhe aktualisht rezulton në kërkim në kuadër të hetimeve për ngjarjen e rëndë.
Bulica nuk është një emër i panjohur për autoritetet shqiptare. Ai është ekstraduar nga Franca në vitin 2021 për një çështje penale, ndërsa emri i tij është përmendur sërish në vitin 2023 në një procedim që lidhej me dhunën ndaj një punonjësi policie.
Megjithatë, pavarësisht këtyre të dhënave, biznesi i familjes Bulica ka përfituar të drejtën për të shfrytëzuar një hapësirë plazhi në Ksamil.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja që kërkon përgjigje nga institucionet përgjegjëse.
Cili është hoteli mbi bazën e të cilit u dha plazhi?
Rregullorja e miratuar nga qeveria për menaxhimin e sezonit turistik 2026 përcakton kriteret që duhet të plotësojë një subjekt privat për të përfituar një stacion plazhi.
Sipas rregullave, subjekti që kërkon një stacion plazhi duhet të disponojë një strukturë akomoduese të kategorizuar nga Ministria e Turizmit, e cila duhet të ndodhet përpara ose në afërsi të plazhit.
Edhe numri i çadrave që mund të përfitojë një subjekt lidhet me kapacitetin e strukturës akomoduese. Rregullorja parashikon raportin prej dy çadrash për çdo dhomë.
Ligji parashikon edhe raste të veçanta në të cilat stacion plazhi mund t’u jepet strukturave të shërbimit që nuk disponojnë hotel, por zonat ku përfshihet Ksamil-Saranda nuk rezultojnë ndër përjashtimet e parashikuara.
Pikërisht për këtë arsye, pyetjet për ministrin e Turizmit, Blendi Gonxhja, janë konkrete:
Cili është hoteli i kategorizuar mbi bazën e të cilit TORTUGA BAY ka përfituar stacionin e plazhit të “Principotes”?
Sa dhoma ka ky hotel?
Ku ndodhet?
Me cilin vendim është kategorizuar?
Dhe sa çadra janë miratuar mbi bazën e numrit të dhomave?
Janë pyetje që mund të marrin përgjigje vetëm përmes dokumenteve zyrtare.
Kush e shqyrton dhe e miraton një aplikim?
Dhënia e një stacioni plazhi nuk është një procedurë që kryhet thjesht në nivel vendor.
Aplikimet shqyrtohen nga Grupi Teknik i Shqyrtimit të Aplikimeve, i përbërë nga pesë përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.
Ky grup shqyrton dokumentacionin dhe miraton aplikimin, ndërsa Agjencia Kombëtare e Bregdetit vijon procedurën për lidhjen e kontratës.
Në këtë proces përfshihet edhe bashkia, e cila përgatit planvendosjen dhe kryen dorëzimin e parcelës në terren.
Mbi këtë mekanizëm funksionon Komiteti i Menaxhimit të Sezonit Turistik, i cili kryesohet nga ministri përgjegjës për turizmin.
Pra, në këtë proces ekzistojnë institucione, dokumente, kritere, verifikime dhe vendimmarrje.
Nëse “Principotes” dhe shoqëria TORTUGA BAY nuk disponojnë një strukturë hoteliere të kategorizuar sipas kërkesave të rregullores, atëherë lind nevoja që Ministria e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit të shpjegojnë se mbi çfarë baze është miratuar aplikimi.
Nëse një strukturë e tillë ekziston, atëherë përgjigjja është edhe më e thjeshtë: institucionet mund të bëjnë publike emrin e hotelit, kategorinë, numrin e dhomave dhe dokumentin mbi bazën e të cilit është dhënë stacioni i plazhit.
Sepse pas vrasjes së Luis Mendes, hetimi nuk mund të kufizohet vetëm te personi që dyshohet se përdori thikën.
Duhet të zbardhet e gjithë dinamika e ngjarjes, roli i personave që ndodheshin aty dhe çdo veprim i kryer pas plagosjes së 20-vjeçarit.
Por njëkohësisht, duhet të ketë transparencë edhe për mënyrën se si një subjekt privat ka përfituar të drejtën për të shfrytëzuar një pjesë të bregdetit të Ksamilit.
Kush ia dha familjes Bulica plazhin e “Principotes” dhe mbi cilat dokumente u dha kjo e drejtë?
Kjo është pyetja që tashmë duhet t’u përgjigjen institucionet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



