Del FOTOJA e portugezit që u vra në Ksamil
Personi që shikoni në foto është Luis Miguel Varela Mendes, 21-vjeçari portugez që u vra në Ksamil pas një konflikti në ambientet e një kompleksi turistik.
Hetimet për ngjarjen kanë nxjerrë në pah një dinamikë më të gjerë, ku dyshohet se janë përfshirë turistë, punonjës të lokalit, pjesëtarë të sigurisë dhe efektivë të strukturave të ndryshme. Deri tani, 11 persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Si nisi konflikti në klubin e natës
21-vjeçari kishte mbërritur në rivierën shqiptare për pushime përmes një agjencie turistike të huaj, së bashku me një grup të rinjsh nga Portugalia dhe Franca.
Sipas të dhënave të hetimit, përplasja ka nisur në klubin e natës “La Guerre”, pjesë e kompleksit “Principotes”. Shkak i konfliktit dyshohet të jetë bërë një vajzë.
David Heurtevent dyshohet se ka qenë personi që është përplasur fillimisht me turistin portugez, duke e goditur me grushte. Më pas, situata është përshkallëzuar dhe në konflikt janë përfshirë edhe pjesëtarë të stafit të lokalit.
Dyshimet për goditjen fatale me thikë
Në vijim të përplasjes, hetuesit dyshojnë se Sokrat Lipan, alias Vata, e ka nxjerrë 21-vjeçarin nga ambientet e klubit dhe e ka shoqëruar drejt zonës së shezlongëve të beach bar-it “Paradise”.
Pikërisht aty dyshohet se Vata e ka goditur me thikë turistin portugez, duke i shkaktuar plagët që rezultuan fatale.
Por para grupit hetimor, Vata ka dhënë një version tjetër për armën e përdorur në ngjarje. Ai ka deklaruar se thika i përkiste vetë turistit portugez dhe se ia kishte marrë nga dora gjatë konfliktit.
Ky pretendim i 29-vjeçarit është ende objekt verifikimi nga hetuesit, të cilët po punojnë për të rindërtuar në mënyrë të plotë momentet para dhe pas goditjes fatale.
Si dyshohet se u largua Vata pas vrasjes
Pas ngjarjes, Sokrat Lipan alias Vata dyshohet se është ndihmuar të largohet nga vendi nga Moisid Matushaj, një efektiv policie që punonte njëkohësisht edhe si truprojë në kompleksin ku ndodhi konflikti.
Sipas hetimeve, Matushaj e ka transportuar Vatën me automjet deri në qendër të Ksamilit dhe më pas është rikthyer në ambientet e lokalit.
Më tej, Vata ka rënë në kontakt me dy shtetas turq, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak. Dyshohet se ata po e transportonin drejt Tiranës, por udhëtimi u ndërpre në Levan të Fierit, ku Vata u arrestua rreth pesë orë pas vrasjes. Ai u gjet i fshehur në bagazhin e automjetit.
Dy persona në kërkim, kamerierët nën akuzë
Në kuadër të hetimeve, në kërkim janë shpallur David Heurtevent dhe pronari i lokalit, Bekim Bulica.
Ndërkohë, kamerierët Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani dhe Murat Zhabina akuzohen se kanë marrë pjesë në dhunimin e turistit gjatë konfliktit.
Hetimet janë shtrirë edhe te personat që kishin detyrë të garantonin sigurinë në ambientet e kompleksit.
Mes tyre janë Luciano Seferi, punonjës i Policisë së Burgjeve në Fier, dhe Romeo Shehu, polic bashkiak në Gjirokastër. Sipas dyshimeve të hetuesve, këta persona nuk kanë ndërhyrë për të ndaluar konfliktin dhe nuk kanë njoftuar Policinë për ngjarjen.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi rolin e secilit prej personave të përfshirë, si dhe për të rindërtuar të gjithë kronologjinë e konfliktit që përfundoi me vrasjen e turistit portugez në Ksamil.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




