E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
A ka një puç kundër Bashës dhe nëse po, cili është roli i Berishës, Ramës dhe Metës?!
Publik News

A ka një puç kundër Bashës dhe nëse po, cili është roli i Berishës, Ramës dhe Metës?!

Që nga data 28 tetor e vitit të kaluar, kur Lulzim Basha shpalli në parlament, “Trekëndëshin shqiptarë të Bermudës”, i cili ka si brinjë Sali Berishën, Ilir Metën dhe Edi Ramën, e gjithë retorika e tij është thelluar në këtë goditje tre dimensionale.

Fillimisht kjo gjetje që duket se ngjiti shpejt në opinionin publik (Pasi Sali Berisha dhe Ilir Meta ka në politikë dhe qeverisje plot 31 vite, kurse Edi Rama vetëm pak vite më pak), u fokusua si betejë për të mbyllur “tranzicionin demokratik”.

Por me kalimin e kohës Basha e konsideroi “trekëndëshin e së keqes”, e dhe si një plan, puç apo konspirim kundër tij dhe partisë zyrtare që drejton.

Nuk bëhet më fjalë thjesht për një betejë historike për ti dhënë fund sundimit të një klase të vjetër e të korruptuar politike, por edhe për një plan konkret, për të hequr qafe Lulzim Bashën nga skena.

Ndaj kreu i PD-së, paralel me pompimin e faktit që ai është i “përzgjedhur i amerikanëve dhe perëndimit” për të udhëhequr Shqipërinë e të ardhmes, ka shtuar denoncimet për një konspiracion konkret që ka brenda financime, biznesmenë të mëdhenj që hedhin shumë para, presidentin, kryeministrin, qeverinë, ministra e kryetar bashkish, krim të organizuar…

Të gjithë me detyra të ndara për të vetmin qëllim: shkatërrimin e PD-së së Bashës dhe nxjerrjen jashtë skene të tij.

“Në qoftë se kemi mësuar diçka në këto muaj, të gjithë të tjerët janë bërë bashkë me Edi Ramën. I patë mbrëmë si flasin njësoj, mbajnë të njëjtat qëndrime, përdorin të njëjtat terma, kanë të njëjtën gjuhë… Njëri koordinon sulmin kundër Partisë Demokratike, tjetri e financon Foltoren dhe flet me gjuhën e Foltores edhe në Parlament, edhe në qeveri, edhe në ekran, tjetri e zbaton planin për të shkatërruar Partinë Demokratike. Edhe ata janë bashkë, mos keni iluzione. Hiqni çdo iluzion. Janë bashkë, Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, janë të tre bashkë”, ishte deklarata e fundit e Bashës në vazhdim të denoncimit të “puçit” kundër tij.

Për hir të së vërtetës, nëse i marrim një nga një të tria brinjët e “trekëndëshit të Bermudës”, atëherë na rezulton se Basha deri diku ka të drejtë të jetë i frikësuar.

E nisim me Sali Berishën:

Ky i fundit tashmë betejën për të rikthyer pushtetin e tij në Partinë Demokratike në funksion të “non grata-s” amerikane, e ka kthyer edhe në “personale” me të pabesin Lul Brava.

Etja për hakmarrja që i vlon përbrenda, duket qartë jo vetëm në fjalorin e egër që përdor kundër Bashës, por edhe në akuzat e rënda penale ndaj tij.

Berisha nuk e do ish-beniaminin e tij vetëm jashtë PD-së, por edhe në burg dhe kjo nuk ka më pikë dyshimi. Gati-gati po duket se fati i jetës, pasurisë, nderit e emrit që do ti mbetet në histori, varet vetëm nga largimi apo jo i Bashës nga PD!

Vazhdojmë me Edi Ramën:

Ky është kujdesur që gjatë gjithë kohës që po zhvillohet “Lufta civile në PD”, ti fus në një thes Bashën me Berishën. I quan qesharakë, kufoma të pakallura etj, etj.

Por kushdo (ai vetë sidomos) e di që nuk janë njësoj edhe pse kanë qenë për 16 vite në situatën; Kur themi Basha, nënkuptojmë Berishën!

Rama e di mirë që nuk mund të jenë njësoj kur njërin SHBA e  ka shpallur armik, e tjetrin aleat strategjik; kur Basha është në kulmin e moshës dhe karrierës, kurse Berisha në zgripet e fundit.

Pavarësisht se është përpjekur me kujdes që të shpërndajë perceptimin se Bashën e ka “bukë me djathë” dhe e mund në zgjedhje sa herë të dojë (këtë thotë edhe grupi i Berishës), Rama e di shumë mirë se një Bashë pa Berishë në kurriz, është shumë i rrezikshëm.

Nuk duhet të harrojmë se zgjedhjet e 25 prillit i fitoi (për mua), përveç të tjerave edhe me një trik brilant.

Ju vuri përpara shqiptarëve fotografitë e Sali Berishës dhe Ilir Metës në njërën anë, kurse Luzim Bashën përballë.

Nëse votoni këtë (Bashën)- ju tha- do të merrni këta të dy (Berisha-Meta).

Kjo ishte dilema përpara të cilës i vuri shqiptarët; kurse zgjedhja tjetër (që ndodhi) sipas tij do të ishte e keqja më e vogël, pra ai vetë!

Në këtë kuptim Edi Ramës i intereson që të qëndrojnë sa më gjatë në lojë “gogolët” e tranzicionit për të trembur shumicën e votuesve, (që nuk votojnë), elektoratin gri. Por edhe socialistët e shumtë që nuk e shohin dot më me sy pasi vërtetuan, se plaçka ndahet vetëm për ata që do Rama.

Ndaj Basha nuk ja fut kot fare kur beson e deklaron se, Edi Rama po financon qëndrimin e Berishës në lojë.

Tani kalojmë te brinja tjetër, Ilir Meta:

Ky ndryshe nga Berisha është deklaruar hapur kundër Bashës, jo për hakmarrje dhe as se i duhet PD-ja për ndonjë “hall” siç thotë Basha.

Basha është alibia perfekte e gjithë gabimeve trashanike që ka bërë Meta dhe LSI që nga koha e Çadrës.

Basha mori në qafë LSI-në dhe Monika Kryemadhin për lënien e parlamentit në duart e Ramës; Basha e gënjeu (edhe për orën) dhe e nxori blof me dekretin për zgjedhjet lokale të vitit 2019; Basha në marrëveshje me Edi Ramën, (që vazhdoi edhe për zgjedhjet e 25 prillit), punoi për katandisjen e LSI në këtë derexhe pa grup parlamentarë; Basha flet nëpër ambasada kundër tij e Berishës, etj,etj.

Përveç këtyre Ilir Metës, i cili ka premtuar se do të dalë në teren pasi të ikë (a ta heqin) nga presidenca, i duhet sidomos një aleat si Sali Berisha. Por i fortë dhe me logo si ajo PD-së!

Gjithashtu dorëzimi i “sovranizmit” që Basha ka bërë te SHBA, është një arsye tjetër për të justifikuar lëvizjen “sovraniste” pas bojkotimit të hapur ndërkombëtarë. Kurse Rama për këtë pikë, ka nisur të mos e fsheh xhelozinë ndaj Lulzim Bashës.

Kjo është një panoramë logjike për “puçin” kundër Bashës, si dhe për detyrat e interesat që kanë Berisha-Meta-Rama në këtë histori.

Por të mos harrojmë edhe diçka tjetër: Vetë Basha përbëhet në një masë jo të vogël, nga aliazhi i tre brinjëve të Bermudës.

Ky fakt është disavantazh për të justifikuar detyrën e “heroit” i cili ka marrë përsipër që të mbyll tranzicionin shqiptarë, por njëkohësisht është edhe avantazh në luftën për të çmontuar, “Puçin Berisha-Meta-Rama”, kundër tij!/Alfapres.al

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.