E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
A po fillon Edi Rama gjuetinë e shtrigave …
Lajme

A po fillon Edi Rama gjuetinë e shtrigave …

Brenda tre ditësh një kryebashkiak, përfaqësues i opozitës, dhe një ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ndodhen nën hetim nga ajo që cilësohet “drejtësia e re”.

Në të dyja rastet kjo drejtësi ka goditur kundërshtarët e Edi Ramës dhe ndoshta kjo nuk është rastësi, kur brenda 72 orësh dy emra të njohur ndodhen ose kërkohet hetim.

Fran Frrokaj, Kryebashkiaku i Lezhës, u arrestua nga policia me urdhër të Prokurorisë, pasi gjykata kishte caktuar masën e sigurisë me burg. Dy ditë më pas e njëjta gjykatë, me të njëjtën gjyqtare, ndryshoi masën e sigurisë nga burg në arrest shtëpie, pa dhënë ndonjë shpjegim sepse u vendos si masë paraprake ajo e arrestit.

Pa kaluar shija që la operacioni prokurori-polici në Lezhë, sot ndaj një ish-anëtari të Kushtetueses është kërkuar proçedimi penal.

Besnik Imeraj dha dorëheqjen me 31 janar për arsye personale, çka do të thotë se proçesi i vettingut për të ndërpritej, kjo të paktën sipas Kushtetutës dhe ligjit të miratuar.

Por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka referuar pranë Zyrës së Prokurores së Përgjithshme të gjithë dokumentacionin që rezultoi nga hetimi administrativ gjatë procesit të rivlerësimit të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj.

Në të dyja rastet zyrtarët e përballur me ‘drejtësinë e re’ kanë drejtuar gishtin nga Kryeministri Edi Rama.

Kryebashkiaku i Lezhës u arrestua në mënyrë spektakolare me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Por nëse për këtë akuzë shumë funksionarë apo përfaqësues vendorë që i përkasin forcës politike të Kryeministrit ndiqen në gjendje të lirë, Fran Frrokaj u arrestua. Kjo masë ndalimi nuk ndodhi me asnjë prej funksionarëve, përfshi këtu edhe ish-ministrin e Brendshëm, apo drejtues të policisë që sot ndodhen në kërkim, të akuzuar për lidhje me trafikun e drogës apo grupe kriminale.

Në rastin e ish-anëtarit të Kushtetueses, vetingu është ndërprerë pasi ai është dorëhequr, masë kjo e përcaktuar edhe me ligj.

“Kjo që po ndodh nuk ka asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore. Që kur Edi Rama dhe qeveria bëjnë kontrollin e gjyqtarëve, çdo gjë është e qartë. Unë jam në rregull dhe nuk kam asnjë problem me ligjin dhe Kushtetutën. Kjo e gjitha është e motivuar politikisht”, është shprehur Imeraj në një reagim, pas njoftimit nga KPK.

Çfarë po ndodh atëherë? A ka nisur Edi Rama një gjueti shtrigash ndaj atyre që mund t’i cilësojë si kundërshtarë apo janë të tillë?

E nëse për Frrokajn, kryebashkiakun e Lezhës, goditja i vjen sepse është përfaqësues i PD-së dhe kundërshtar politik i Ramës, në rastin e Imerajt duket se “hakmarrja” vjen nga fakti se ish-anëtari i Kushtetueses ka qenë ndër ata gjyqtarë që kanë kërkuar interpretimin nga Komisioni i Venecias lidhur me reformën në drejtësi.

Një gjyqtar me një eksperiencë 40 vjeçare, Imeraj u përzgjodh për të qene pjesë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, por u tërhoq. Sot ndoshta ish-anëtarit të Kushtetueses do t’i duhet të përballet me ‘drejtësinë e re’ për faktin e vetëm se mund të jetë në listën e personave të padëshiruar apo që cilësohen si armiq e kundërshtarë të Ramës.

Dhe nëse kjo është arsyeja, atëherë nuk është e vështirë për të kuptuar se si do të vijojë lista…

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.