E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Adelajda Roka, garancia e “çunave ” në kullat e drogës
Sot

Adelajda Roka, garancia e “çunave ” në kullat e drogës

Si funksionon “sistemi 2R” në ndërtim

Në skenën publike, emri i Adelajda Rokajt është pothuajse i panjohur. Ajo nuk mban konferenca për shtyp, nuk shfaqet nëpër televizione dhe u shmanget me kujdes pyetjeve të gazetarëve. Por brenda mureve të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) — institucionit që ajo drejton prej nëntorit të vitit 2023 — Roka është njeriu më i rëndësishëm i tregut multimilionësh të ndërtimit në Shqipëri.

Ajo është “mekanizmi”, siç e cilësojnë me një sinqeritet tronditës arkitektët ndërkombëtarë, që lidh vizionet estetike të kryeministrit Edi Rama me paratë dhe ambiciet e asaj kategorie që në librin “The Albanian Files” quhen si “our guys” (çunat tanë). Bëhet fjalë për personazhe që mbajnë në duar ora dhjetëra mijëra euroshe të markave Richard Mille e Cartier, dhe që lëvizin me makina luksoze “G-Wagon” — njerëz që me gjasë, ngjashëm me “çunat e Londrës”, sjellin paratë e drogës me thasë në Shqipëri.

Zbulimet e “The Albanian Files” dhe koordinimi në hije

Zbulimet e fundit nga libri kontrovers “The Albanian Files”, i botuar në Zvicër nga shtëpia prestigjoze “Lars Müller Publishers”, kanë hedhur dritë për herë të parë mbi rolin e vërtetë të Adelajda Rokajt. Ajo rezulton të jetë një koordinatore në hije e aferave me ndërtimin e kullave në Tiranë dhe e resorteve turistike luksoze në bregdet.

Dëshmitë e arkitektëve të huaj janë tronditëse. Arkitekti amerikan Sam Chermayeff ka treguar se ka marrë një telefonatë direkte nga Roka në orën 10 të mbrëmjes më 1 maj 2024, e cila i ka thënë prerë se “do ta telefononte vetë Edi”. Pa pasur asnjë projekt në tavolinë, pa asnjë garë apo konkurs publik, ajo i kërkoi studios së tij të projektonte dy struktura gjigante në Tiranë, njëra 30 mijë dhe tjetra 15 mijë metra katrorë.

Kjo bisedë zbulon se si Roka operon plotësisht jashtë kornizave të ligjit. Ajo shfaqet si një agjente që u ndan vëllime të mëdha ndërtimore ndërtuesve dhe arkitektëve, të cilat, pasi kalojnë nga zyra e saj, sigurojnë me lehtësi lejen e ndërtimit në Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT).

Ura lidhëse mes arkitektëve “Pritzker” dhe parave të pista

Portreti më besnik i Rokajt mund të vizatohet në aftësinë e saj për të bërë bashkë dy botë krejtësisht të ndryshme:

 Nga njëra anë: Janë arkitektët fitues të çmimeve të rëndësishme si “Pritzker”, të cilët vijnë në Shqipëri të joshur nga premtimi i një “El Dorado-je” urbanistike, ku nuk ka limite e rregulla dhe ku çmimet e projektimit paguhen deri në 10-fishin e tregut vendas.

 Nga ana tjetër: Janë “biznesmenët” lokalë me makina G-Wagon, ora Richard Mille dhe byzylykë floriri Cartier, që kanë nevojë të pastrojnë kapitale.

Kur arkitekti koreano-jugor Minsuk Cho zbriti në Tiranë në gusht të vitit 2024, ishte pikërisht Adelajda ajo që e mori në ngarkim, e prezantoi me projektet potenciale të biznesit privat dhe më pas e uli në tavolinë me kryeministrin për të bërë llogaritë e sipërfaqeve të ndërtimit.

Për “çunat tanë”, Roka është garancia e vetme e sistemit. Ndërtuesit vendas e dinë se një projekt i bërë nga një studio lokale ka rrezik të rrëzohet. Por, nëse ai projekt kalon nga zyra e Rokajt dhe vishet me firmën e një “star-arkitekti” të huaj, kthehet automatikisht në një investim të sigurt që merr leje zhvillimi brenda pak kohësh, siç ka ndodhur tashmë me kullën 44-katëshe “Sun Moon Star” në Bulevardin e Ri.

“Në AZHT nuk shkohet me projekt, shkohet për takim”

Arkitektët shqiptarë, në kushte anonimati, shprehen se nën drejtimin e Adelajda Rokajt, AZHT ka pushuar së qeni një organ rregullator dhe kontrollues. Ajo është kthyer në një zyrë noteriale të marrëveshjeve informale që bëhen nëpër tavolina private apo përmes aplikacioneve të koduara si Whatsapp e Signal.

“Në AZHT nuk shkohet me projekt, por shkohet për takim,” thonë operatorët vendas.

Në këto takime, ligji, intensiteti i ndërtimit dhe koeficientët e shfrytëzimit të truallit nuk kanë më asnjë vlerë. Ato i vendosin bashkë Roka dhe Rama, një dyshe që ka krijuar atë që tashmë njihet si “sistemi 2R” në ndërtim. Për kritikët, ky model i drejtimit që përfaqëson Adelajda Roka është dëshmia më e pastër e kapjes së shtetit.

Adelajda Roka mund të duket një zyrtare në hije, pa dëshirë për të qenë në qendër të vëmendjes, por pesha e saj në sektorin e ndërtimit është e jashtëzakonshme. Ajo ka arritur të kthejë një agjenci shtetërore në një zyrë private ndërmjetësimi për llogari të një grupi të ngushtë investitorësh.

Siç rezulton nga dokumentet e librit “The Albanian Files”, ajo është arkitektja operative e sistemit të kullave. Ajo është zyrtarja që siguron që egoja estetike e kryeministrit dhe instinkti i përfitimit të “çunave me G-Wagon” të shkrihen në të njëjtën leje ndërtimi, duke projektuar një vend që rritet me shpejtësi në beton, por që dita-ditës po tkurret në popullsi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.