E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Aeroporti i Vlorës, reagon Shoqata e Mjedisit: Të ndërtohet, por jo në Akërni
Lajme

Aeroporti i Vlorës, reagon Shoqata e Mjedisit: Të ndërtohet, por jo në Akërni

Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, përmes një deklarate për mediat, ka ngritur zërin kundër projektit për ndërtimin e aeroportit të ri në afërsi të qytetit të Vlorës, sipas tyre ky projekt kërcënon zonën e mbrojtur “Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë”

“Gjatë ditëve të fundit, në media, po qarkullon lajmi i ndërtimit të një aeroporti të ri në afërsi të qytetit të Vlorës dhe pikërisht në zonën e quajtur Akërni, e cila ndodhet në brendësi të plotë të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë. Ndërtimi i një aeroporti të ri, është padyshim një lajm i përgëzueshëm dhe i mirëpritur për shumicën e publikut, megjithatë vendndodhja e propozuar e ndërtimit të këtij aeroporti është e papërshtatshëm dhe mjaft e dëmshme për natyrën dhe biodiversitetin e lartë të zonës.”- thuhet në deklaratë.

Vjosë-Narta, përfaqëson një ndër zonat më të dalluara në vend përsa i përket vlerave të biodiversitetit, në veçanti atij avifaunistik. Kjo zonë, njihet ndërkombëtarisht si zonë e Rëndësishme për Biodiversitetin në nivel Global; është pjesë e rrjetit Emerald të zonave me Rëndësi të Veçantë Ruajtje; është njohur nga BirdLife International si Zonë e Rëndësishme për Shpendët në nivel Global; është zonë nën vlerësim për rrjetin Natura2000 në Shqipëri dhe mbi të gjitha është pjesë e rrjetit kombëtar të Zonave të Mbrojtura.

“Ndërtimi i një infrastrukture të tillë, kërcënon rëndë integritetin ekologjik të zonës si pasojë e tjetërsimit të habitateve gjatë fazës së investimit dhe shqetësimit gjatë fazës së operimit dhe është në kundërshtim me normat rregullatore e ligjore për zonat e mbrojtura. Bazuar në standarted dhe ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare për menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe zonave me vlera të larta natyrore, ndalohet ndërtimi i veprave të tilla të cilat kanë një impakt shkatërrues në ekosistem. I bëjmë thirrje institucioneve përkatëse për të ri-konsideruar vendin e përzgjedhur për ndërtimin e aeroportit dhe jemi të gatshëm të ofrojmë bashkëpunimin tonë teknik dhe shkencor në vlerësimin e vendndodhjeve alternative të cilat nuk do të cënojnë integritetin e zonave të mbrojtura dhe do të rrjedhin nga një proces i përgjithshëm i konsultimit me publikun dhe palët e interesit.”- përfundon Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.