E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Aferat e Belës, si i kontrollonte Balluku në kohë reale fituesit e projekteve
Lajme

Aferat e Belës, si i kontrollonte Balluku në kohë reale fituesit e projekteve

Berberi niste foto me emrat e kompanive në garë

Dalja në dritë e detajeve të reja hetimore të SPAK hedh më shumë dritë mbi dosjen që rëndon ndaj Belinda Ballukut, zëvendëskryeministre dhe ministre e pezulluar e Infrastrukturës dhe Energjisë. Hetuesit e akuzojnë atë për shkelje të barazisë në tendera, konkretisht për procedurat e Tunelit të Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe, me një dëm të dyshuar financiar që arrin në rreth 210 milionë euro.

Pjesë e provave është edhe këqyrja e telefonit “BlackBerry” të sekuestruar ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, në momentin e arrestimit pranverën e vitit 2024. Në këtë pajisje, në aplikacionin “Signal Private Messenger”, hetuesit kanë zbuluar shkëmbime të shumta mes Berberit dhe Miranda Shkurtit, përgjegjëse e Sektorit të Prokurimeve në ARRSH.

Një ndër komunikimet kyçe mban datën 11 gusht 2021. Berberi i shkruan Shkurtit: “Hapja e ofertave në 15 shtator, të gjitha unazat.” Shkurti i përgjigjet: “Po. Edhe po të hedhim nesër ndonjë, po në 15 shtator.” Më pas, në orën 15:14, Berberi i përcjell një tjetër mesazh: “Jo, i dua në një ditë, të gjitha të hedhura.”

Hetimi zbulon se, për secilin lot të Unazës së Madhe, Miranda Shkurti i dërgon Berberit fotografi me listën e kompanive pjesëmarrëse dhe ofertat përkatëse, duke theksuar me kursor kompaninë ose bashkimin e operatorëve ekonomikë që pritet të shpallet fitues. Sipas SPAK, këto foto më pas i kalojnë Belinda Ballukut, e cila në këtë mënyrë merr kontroll mbi procesin e tenderimit dhe fituesit e mundshëm.

Për lotin 4, i cili u fitua nga bashkimi i kompanive Pevlaku, Nova dhe Euroteorema, SPAK dyshon se fituesi është paracaktuar nga vetë Balluku. Për lotet e tjera hetimet vijojnë, ashtu siç po hetohen edhe procedura të tjera tenderuese të zhvilluara në ARRSH.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.