E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Afganistani si historia e luftës që nuk mbaron
Publik News

Afganistani si historia e luftës që nuk mbaron

Gjergj Totozani

Tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani mbas luftës 20 vjeçare, e solli sërish në vëmenjden e opinionit publik botëror këtë vend në dukje periferik, por gjithmonë i destabilizuar nga grushte shteti pa fund, luftëra civile brënda vendit dhe pushtime nga fuqitë e mëdha të globit. Ajo që vihet re në historinë e Afganistanit është se në fund të gjithçkaje cilado fuqi që ka ndërhyrë nga jashtë, është detyruar të largohet pa e përmbushur deri në fund qëllimin e saj politik dhe ushtarak. Për shekuj me rradhë Afganistani ka qenë i pushtuar nga grekët, persianët, mongolët, anglezët dhe rusët. Kjo tokë gjatë gjithë kohës së pushtimeve u kthye në varrezë për ushtritë pushtuese. Në vitin 327 para erës sonë, Aleksandri i Madh vetëm teorikisht ja shtoi këtë shtet perandorisë që krijoi. Persia sasanide megjithëse e pati pushtuar krejtësisht Afganistanin deri në shek e IV, pati pak kontroll mbi të. Në mënyrë të përmbledhur dhe pa hyrë në detaje historike pa fund, në këtë shkrim do të mundohemi të njohim lexuesin e gjerë me tre momente kyçe të historisë së Afganistanit në 200 vitet e fundit. Këto momente janë ndërhyrjet e tre superfuqive botërore si Perandoria Britanike, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

1. Luftërat anglo-afgane

Lufta e Parë anglo-afgane

Pas një lufte civile të zgjatur që filloi në 1816, klani Bārakzay u bë dinastia sunduese e Afganistanit, me anëtarin e tij më të fuqishëm, Dōst Moḥammad Khan, duke u ngjitur në fron në 1826. Një pushtim i Afganistanit u urdhërua nga guvernatori i përgjithshëm i Indisë, Lordi Auckland, me objekt rivendosjen në fron të sundimtarit afgan të mërguar Shah Shojāʿ. Afganët, nuk do të toleronin as një pushtim të huaj dhe as një mbret të imponuar ndaj tyre nga një fuqi e huaj duke shpërthyerkryengritjet. Dōst Moḥammad megjithëse u  arrestua, u arratis nga burgu dhe u kthye në Afganistan për të udhëhequr mbështetësit e tij kundër britanikëve. Më 6 janar 1842, rreth 4 500 trupa britanike dhe indiane u larguan nga Kabuli. Grupe afganësh u mblodhën rreth tyre dhe tërheqja përfundoi në një gjakderdhje. Shojāʿ u vra pasi britanikët u larguan nga Kabuli. Megjithëse në verën e të njëjtit vit forcat britanike ripushtuan Kabulin, guvernatori i ri i përgjithshëm i Indisë, Lord Ellenborough, vendosi për evakuimin e Afganistanit dhe në 1843 Dōst Moḥammad u kthye në Kabul duke u rivendosur në fron. Gjatë tërheqjes britanikët patën vetëm një të mbijetuar.

Lufta e Dytë anglo-afgane

Në Nëntor 1875 Kryeministri Britanik Benjamin Disraeli emëroi Lordin Lytton guvernator të përgjithshëm të Indisë. Lytton gjatë shërbimit të tij atje ishte i shqetësuar kryesisht për marrëdhëniene Indisë me Afganistanin. Në kohën e emërimit të tij, ndikimi rus po rritej në Afganistan dhe Lytton kishte urdhër për ta kundërshtuar atë ose për të siguruar më tepër kufirin me forca të shumta. Menjëherë pasi Laiton mbërriti në Indi, ai njoftoi Shīr īAlī Khan, djalin e tretë të Dōst Moḥammad, i cili arriti në fron pas vdekjes së babait të tij, se ai po dërgonte një “mision” në Kabul. Kur emiri refuzoi lejen e Lytton për të hyrë në Afganistan, Lytton nuk e priti mirë. Ai nuk humbi kohë duke e pushtuar Afganistanin dhe duke filluar kështu Luftën e DytëAnglo-Afgane më 21 nëntor 1878. Ushtria britanike pushtoi Kabulin, ashtu siç kishte bërë në luftën e parë dhe një traktat i nënshkruar në Gandamak më 26 maj 1879, njohu djalin e Shīr īAlī, Yaʿqūb Khan, si emir.  Ky triumf britanik ishte tepërjetëshkurtër. Yaʿqūb hoqi dorë nga froni, i cili mbeti vakant deri në korrik 1880, kur Abd al-Raḥmān, nipi i Shīr īAlī, u bë emir. Gjatë sundimit të Abd al-Raḥmān, britanikët ishin tërhequr nga Afganistani.

Lufta e Tretë anglo-afgane

Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore (1914–18), Ḥabībullāh u vra më 20 shkurt 1919, nga persona të lidhur me lëvizjen anti-britanike, djali i tij Amānullāh Khan mori në zotërim fronin. Në atë kohë Britania ende ushtronte një ndikim të rëndësishëm në çështjet afgane. Gjatë ceremonisë së tij të kurorëzimit Amānullāh shpalli pavarësinë totale nga Britania e Madhe. Kjo deklaratë nisi Luftën e Tretë Anglo-Afgane në maj 1919.

Luftimet u kufizuan në një sërë përleshjesh midis një ushtrie afgane joefektive dhe një ushtrie indiane britanike të rraskapitur nga rrjedhojat e Luftës së Parë Botërore. Një traktat paqeje që njeh pavarësinë e Afganistanit u nënshkrua në Rawalpindi (tani në Pakistan) më 8 gusht 1919. Para nënshkrimit të dokumentit përfundimtar me britanikët, afganët përfunduan një traktat miqësie me regjimin e ri bolshevik në Bashkimin Sovjetik. Afganistani u bë kështu një nga shtetet e para që njohu qeverinë sovjetike dhe një “marrëdhënie e veçantë” u zhvillua midis dy qeverive që zgjati deri në dhjetor 1979, kur Bashkimi Sovjetik pushtoi Afganistanin gjatë luftës afgane.

2.Pushtimi i Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik.

Bashkimi Sovjetik ndërhyri në mbështetje të qeverisë komuniste afgane në konfliktin e saj me guerilët antikomunistë myslimanë gjatë Luftës Afgane (1978–92) dhe qëndroi në Afganistan deri në mes të shkurtit 1989.

Në prill 1978, qeveria qëndrore e Afganistanit, e kryesuar nga Presidenti Mohammad Daud Khan, u përmbys nga oficerët ushtarakë të krahut të majtë të udhëhequr nga Nur Mohammad Taraki. Në prag të Krishtlindjeve, në 24 dhjetor 1979, forcat elitare sovjetike filluan të fluturojnë në qiejt e Kabulit. Trupat ajrore filluan të ulen në bazën ajrore Shindand (në jug të Heratit). Kandahar dhe Jalalabad. Në total sovjetikët u futën me 30 000 trupa. Deri në 27 dhjetor, pesëdhjetë mijë burra ishin brenda vendit, me pesë mijë trupa dhe spetsnaz (forca speciale)në pozicion rreth Kabulit. Gjeneralët sovjetikë nisën një sërëofensivash të mëdha, por Amerika, Arabia Saudite dhe vendet e NATO-S u përgjigjën duke derdhur gjithnjë e më shumë armë dhe para në mbështetje të muxhahedinëve afganas. Pajisja sidomos me raketa tokë-ajër e këtyre të fundit shkaktoi problem në epërsinë ajrore sovjetike. Në kohën kur Gorbachev erdhi në pushtet, ekonomia dhe financat e Bashkimit Sovjetik kishin arritur në pikën e fundit. Edhe më shqetësuese ishin pasojat e mundshme shoqërore dhe ekonomike nga një luftë që ishte gjithnjë e më jopopullore për publikun sovjetik. Pas dështimit në arritjen e fitores së përgjithshme ushtarake, Bashkimi Sovjetik ndërpreu humbjet e vazhdueshme të tij duke u tërhequr nga Afganistani. Nga rreth  640 000 trupat në total që shërbyen gjatë luftës 10 vjeçare, 15 000 humbën jetën. Gjatë këtij konflikti ka patur rreth 469 685 të plagosur ose rreth 73 % të gjithë forcave që kanë marrë pjesë në operacion. I madh ishte edhe numri i trupave të cilët ranë viktimë e sëmundjeve të ndryshme, ku llogaritet që numrat të shkojnë deri në 415 932 vetë. Sipas studiuesve ushtarak, këto shifra janë tepër të larta për një ushtri,aq më tepër ushtria e një vendi me mjekësi të zhvilluar për kohën sikurse ishte Bashkimi Sovjetik. Nga ana tjetër, 1 300 000 afganë vdiqën dhe mbi 1/3 e popullsisë u shpërngul jashtë Afganistanit. Kjo luftë rraskapitëse do ishte goditja e fundit e fortë që do të sillte menjëherë si pasojë shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

3. Ndërhyrja ushtarake amerikane në Afganistan

Mbas akuzave se pas  rënies së ndërtesave numër 1 dhe numër 2  të Qendrës Botërore të Tregëtisë  të njohura si kullat binjake fshihet goditja e dy aeroplanëve të marrë pengë nga terroristët, administrata e George W. Bush-it shpalli të ashtuquajturën luftë kundër terrorit. Në vitin 1994, nga muxhahedinët e mbështetur nga Shetet e Bashkuara në luftën kundër sovjetikëve, u shkëputën disa të zhgënjyer të cilët iu bashkëngjitën Mullah Omarit. Këtij të fundit iu bashkuan studentët e  medreseve të Pakistanit të njohur si talebanët (shqip.studentët). Në vitin 1996 ata do të arrinin që të themelonin të ashtuquajturin Emirati Islamik i Afganistanit. Në deklaratat zyrtare mbas 11 shtatorit 2001, administrata amerikane akuzoi Al  Kaedën si organizatore të sulmit dhe qeverinë e talebanëve në Afganistan si mbështetëse dhe strehuese të kësaj të fundit. Megjithëse  Shtetet e Bashkuara me koalicionin botëror (Anglia, Franca, Gjermania, Turqia e deri Shqipëria) mbas ndërhyrjes në Afganistan në vitin 2001 i përmbysën talebanët duke patur sukses, mbas afro 20 vjetësh dhe gjatë kohës në të cilën ky artikull po shkruhet këta të fundit erdhën sërish në pushtet. Trupat amerikane bashkë me mbështetësit e tyre u tërhoqën nga Afganistani.

Sa i përket bilancit të humbjeve në jetë pasqyra paraqitet si vijon: Anëtarët e shërbimit amerikan të vrarë në Afganistan deri në prill 2021, konsiderohen të jenë 2 448 vetë. Kontraktorët amerikanë 3 846, ushtria dhe policia kombëtare afgane 66 000, anëtarët e tjerë të shërbimit aleatë përfshirë nga shtetet e tjera anëtare të NATO-S, 1 144, civilët afganë 47 245, talibanët dhe luftëtarët e tjerë të opozitës 51 191 dhe gazetarë rreth 72.

Operacionet luftarake i kanë kushtuar Amerikës gati një trilion dollarë, të cilave i shtohen 530 miliardë për interesin e borxheve të kontraktuara për të financuar operacionet ushtarake, 296 miliardë për kujdesin e veteranëve të kthyer nga Afganistani, 443 miliardë dollarë rritje në buxhetin e Departamentit të Mbrojtjes për operacionet e lidhura me konfliktin. Shifra e përgjithshme, 2.261 trilion dollarë, nuk përfshin fondet që qeveria amerikane është e detyruar të shpenzojë për ndihmën e jetës për veteranët amerikanë të kësaj lufte, as nuk përfshin pagesat e ardhshme të interesit për paratë e huazuara për financimin e luftës.

Si përfundim mund të themi me pak fjalë se historia e Afganistanit na mëson mbi rëndësinë jetike dhe domosdoshmërinë e dialogut paqësor midis popujve. Multipolariteti është elementi kyç i bashkëpunimit mes njerëzve duke u nisur nga parimi se çdo popull ka identitetin e tij të veçantë kulturor e shoqëror. Qytetërimet nuk duhet të shihen si rivale në garën se cili do ta dominoi tjetrin, por si fakte të pamohueshme të cilat duhen pranuar sado të ndryshme të duken. Nuk ka vetëm një njerëzim por shumë njerëzime dhe nuk ka vetëm një qytetërim por shumë qytetërime.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.