E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Agasi dërgohet afër Suel Çelës, në paraburgimin e Bradasheshit
Lajme

Agasi dërgohet afër Suel Çelës, në paraburgimin e Bradasheshit

Pas më shumë se tetë muajsh në arrati, Ergys Agasi do të qëndrojë në paraburgimin e Bradasheshit, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për ta lënë në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Agasi, i cilësuar nga hetuesit si “koordinator i krimit”, rikthehet kështu në zonën ku autoritetet arritën ta lokalizonin përpara arrestimit të tij në Plepa të Durrësit.

Sipas të dhënave të bëra publike pas kapjes, Agasi dyshohet se gjatë kohës në arrati nuk ishte larguar nga Shqipëria, por kishte qëndruar dhe lëvizur kryesisht mes Elbasanit dhe Durrësit.

Ai ishte shpallur në kërkim që prej dhjetorit 2025, kur Gjykata e Posaçme caktoi ndaj tij masën “arrest në burg” në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e tenderëve të AKSHI-t. Kontrollet e zhvilluara atëherë në ambientet e lidhura me të nuk çuan në kapjen e tij.

Sipas SPAK-ut, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe strukturat e specializuara të Policisë punuan për disa javë për lokalizimin e Agasit. Ai u identifikua në Elbasan dhe më 26 gusht u nis me automjet në drejtim të Durrësit.

Forcat operacionale ndoqën lëvizjen e automjetit dhe ndërhynë në hyrjen jugore të Durrësit, në zonën e Plepave. Në momentin e arrestimit, Agasi ishte pasagjer, ndërsa automjeti drejtohej nga ish-punonjësi i Policisë, Uljan Shpataraku.

Ky i fundit u arrestua në flagrancë, nën dyshimin për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Një ditë më parë, GJKKO la në fuqi masën “arrest në burg” ndaj Agasit. Prokuroria e Posaçme e akuzon atë për vepra penale që lidhen me grupin e strukturuar kriminal, shkeljen e barazisë në tendera, konkurrencën e paligjshme dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.