Agron Gjekmarkaj: Sulmet ndaj Metës të pandershme dhe turpi i mazhorancës
Analisti Agron Gjekmarkaj i ftuar në rubrikën “Opinion”, në News 24, duke folur për situatën politike në Shqipëri, komentoi veprimet e opozitës në raport me vendimet që ka marrë qeveria, përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në 30 qershor.
Ai tha se 30 qershori ishte një goditje politike për të dyja palët si për maxhorancën ashtu dhe për opozitën.
Teksa ndalet tek përpjekjet e presidentit për të zgjidhur krizën, analisti Gjekmarkaj thotë se sulmet e maxhorancës mbi Ilir Metën janë tërësisht politike dhe nuk i shërbejnë vendit, aq më tepër në kushtet kur Shqipëria po kërkon një përgjigje pozitive për negociata me Bashkimin Evropian.
“Tek vendimet e opozitës ka një gjendje pritjeje. Hapja e negociatave e ka vënë opozitën në pozicion pritës duke hulumtuar se ku mund ta gjejë veten në këtë proces. Basha nga Brukseli tha se Shqipërisë duhet t’i hapen negociatat , por me disa kushte. 30 Qershori ka qenë një goditje për të dyja palët. Besoj se do të këtë presion për zgjidhje e krizës dhe të reformës në drejtësi. Opozita provoi disa muaj me disa protesta masive dhe kuptoi një gjë: me forcën e protestës nuk ia dilte ta rrëzonte Ramën. Nga ana tjetër kuptoi se faktori ndërkombëtar nuk është tolerant ndaj një formë te tillë.
Unë mendoj që opozita e ka të domosdoshme, që të ndryshojë vetëveten, të prodhojë ide dhe të bëhet tërheqëse dhe joshëse nëpërmjet njerëzve që ngjallin besim. Unë e kam parë pozitiv rolin e presidentit dhe në shkrimet e mia kam thënë që ai duhet të ndërhynte për krizën. E gjithë lufta që i bëhet Metës është një luftë politike. Kjo e turpëron vendin. Lufta që i behët Metës, është një luftë e pastër politike dhe e pandershme dhe ne njëfarë mënyrë e turpëron këtë maxhorancë”-tha ai.
Sipas tij, qeveria shqiptare nuk i ka përmbushur kushtet që Shqipëria të bëhet pjesë e BE, duke shtuar se nëse BE vendos të hapë negociatat, e bën vetëm për të pasur më afër vendin tonë dhe politikën, në mënyrë që të ndikojë mbi këtë të fundit.
“Shqipëria e meriton të ketë një marrëdhënie më të afërt me Evropën, sepse Evropa i ka munguar. Populli shqiptar e meriton, por nuk jam i sigurt nëse e meriton dhe klasa politike. Qeveria nuk i ka përmbushur kushtet që Shqipëria të jetë një vend që i hapen negociatat. Shqipëria është në krizë të plotë, sistemi ka pësuar shkarje, opozita është jashtë, nuk shohim asnjë tentativë për dialog. Hapja e negociatave nëse ndodh, pse? Sepse ata kanë parë një bashkëpunim të qeverisë me krimin, këtë e kemi parë të gjithë, projektin e kanabizimit të Shqipërisë. Hapja e negociatave do të thotë ta marrësh Shqipërinë më afër, të ndikosh klasën politike dhe që të ketë një përmirësim. Në këtë prizëm e shoh hapjen e negociatave”, theksoi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



