E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ajo Shqipni që kem mendue e dona unë e ti, nuk bahet me shqiptarë të sodit
Publik News

Ajo Shqipni që kem mendue e dona unë e ti, nuk bahet me shqiptarë të sodit

Ilir Demalia

Një hap pranë vdekjes

Në “Gazeta Shqiptare” në 17 dhjetor 2017, Natasha Lakos, tregon se si ka qenë një hap prane vdekjes ne vitin 90′ dhe 91.
Intervista është mbushur fund e krye me genjeshtra dhe si frymë vazhdim i realizmit socialist, ku janë edukuar, kanë punuar, kanë prodhuar mostra letrare, filma, teatër, e gjithçka, në shërbim ideologjik e politik të një regjimi diktatorial nga më brutalët në botën komuniste.

Ajo që vazhdon me paftyrësi nga e gjithë kjo armatë e shërbëtorëve të propagandës kriminale të regjimit komunist shqiptar, është se; përpos që mbrojnë veprën e realizuar në shërbim të diktaturës dhe diktatorit si një shpëlarje gebelsiane trush ndaj popullit të tyre për ta mbajtur në errësirë me artin e tyre makabër dhe të pavlerë, sot, jo vetëm që na mbahen me të madh me këtë si art i madh dhe me vlera, por tregojnë dhe ne çfarë “rreziku për jetën” kanë qenë këta nga diktatura duke na dalë që këta i dhanë shqiptarëve “Nata e parë të lirisë” si dhe skenari i filmit të Natashës me të njëtin titull për hyrjen e partizanëve në Berat në 44.

Po ti ndjekësh me kujdes, këta përsëri janë trup bashkuar me njëri tjetrin si regjim politik dhe kulturor në sundim si vazhdimësi e së njëjtës kulturë dhe elitë, si vazhdimësi e të njëjtit shërbim, lidhjeve dhe shërbimit me pushtetin dhe me të keqen e këtij pushteti që vazhdon si vazhdimësi e po atij pushteti që i shërbyen dje dhe i shërbejnë dhe sot me mizantropinë e mendjeve të vogla të shërbëtorit për pëfitime të mëdha, duke manipuluar dhe simuluar, duke u plastikuar operacionalisht me të shkuarën nëpëmjet gënjeshtrave dhe mashtrimeve për përfitime të reja në çdo vakt. Ky lloj garnizoni nuk ka asnjë lidhje me intelektualin apo artistin.

Ata sot japin mesatarisht nga 4-5 intervista në vit dhe e tregojnë jetën e tyre të asaj kohe, mes një terrori psikologjik nga frika e arrestimeve. Në veprën e tyre të shpërblyer me medalje e dekorata ata nuk kanë asgjë që të meritojnë pranga, por shokët e Kadaresë dhe Natasha Lakos tregojnë se jeta e tyre ishte në dhëmbët e diktaturës, me frikën se nga çasti në çast ajo do t’i mbyllte nofullat. Japin përshtypjen se frika e arrestimit i bënte ata, paradoksalisht, të kishin zili të burgosurit dhe bile-bile, edhe të pushkatuarit, ngaqë ata në burgje apo në varre nuk kishin tashmë kurrëfarë rrezik arrestimi!

Lirinë e tyre artistët tanë të shquar e përshkruajnë tmerr pa fund. Në intervistat e tyre, jo në gojën e gazetarit por në përgjigjet e tyre të lira, ata e venë veten njësoj para rrezikut, vetëm distancat nga vdekja i kanë të ndryshme.

Natasha Lako, një hap pranë vdekjes!
Kujtim Çashku, në prag pranë varjes në litar!
Ismail Kadare, me arkivolin të hapur!
Preç Zog Çiftelia, një hap pranë pushkatimit!

Mund të vazhdohet pafund kjo listë e regjimit djeshëm me vazhdimsinë sot si tregues i qartë se komunizmi jo vetëm nuk ka rënë në Shqipëri por është edhe më i fortë me uniformën e re të demonkrakarikaturës shqiptare dhe vazhdimit së shpëlarjes së truve të shqiptareve. Po ta ndjekësh me kujdes shqiptarët dhe fatkeqsisht, mosha që nuk ka kuptuar atë kohë, pëlqejne atë art dhe ate muzike! Mosha që e ka jetuar e tregojnë akoma dashurinë dhe nostalgjin dhe vlersimin e prodhimit të shërbimit ideologjik e politik të diktaturës nëpërmjet shkrimtarëve, artistëve si ndihmës të partisë. Kjo tregon se mekanizmi e shpëlarjes së truve në funksion të regjimit ka funksionuar dhe vazhdon të funksionoj.

Sa kanë “vuajtur” këta intelktualë, artistë, shkrimtarë?!!
Asgjë nuk është burgosja e qindra të rinjëve që shprehnin ndonje gje letrare në kundershtim me vijën e realizmit socialist dhe dënoheshin me ekspertizat e Lidhjes Shkrimtarëve dhe Artistëve ne burgjet e Spaçit, Burrelit, Qaf Barit në kushte kafshërie e torturash.

Para dy ditësh ishte 130 vjetori i lindjes së mendimit më të kualifikuar filozofik, shkrimtarit, atdhetarit, publicistit, meshtarit Pater Anton Harapi, që trandi çdo ndërgjegje me fjalët e tij të fundit ne gjygj, e ne akoma nuk kem mësue kurrgjë si moral shoqnor dhe model kurajo qytetare në bindje e drejtësi:

“Në qe se me u ndigjue ligjevet hyjnore të Atdheut, me edukue rininë kah idealet e nalta të së Vërtetës e me i nxitë kah e Mira; në qe se me vuejtë për popull e me popull dhe me luftue për Fe e Atdhe asht punë e dobët e tradhti, atëbotë jo veç unë por mbarë françiskajtë e Shqipnis jemi të dejë për dekë.”

E kur prokurori Misto Treska, i nderuar dhe ky nga presidenca si ” NDERI KOMBIT” , po çonte Patër Anton Harapin drejt pushkatimit, në një natë me shi dhe suferinë diku në kodrat e Tiranës prane malit Dajtit, patre, ngrinte veladonin me mos ju sterkalë në baltë. Misto Treska i thotë: -Pse po ruhesh Patër? Në baltë ke me shkue mas pak.

Padre i gjegjet: – Atje ku të shkoj biri jem du me shkue i papërlyem si kam kenë tan jetën teme.

Asnjë fjalë nga kurkush, se shteti jo e jo, në 130 vjetorin e lindjes Pater Anton Harapit para dy ditësh! Për marren e saj, për imoralitetin e atyne që drejtojnë Kishën Katolike Shqiptare si bisht i politikës, e themë këtë se; mbajnë të njëjtin qëndrim si politika e majtë dhe e djathtë si arti, kultura, intelektualët e sherbim regjimeve, historianët e regjimeve si vazhdimësi regjimi, pra: dhe Kisha Katolike Shqiptare, jo vetëm nuk ka dhanë një meshë për Patër Anton Harapin, por e quajnë ende koloboracionist njeriun që shkoj drejt dekës për Krishtin mbret e për Komb të vet. Turpi e ka mbulue Kishën Katolike sot me këtë vazhdimësi

Asgje nuk është as pushkatimi i dy gazetarëve të TVSH-së Fadi Kokomani dhe Vangjel Lezho si model kurajo, intelektualizmi, integriteti e dinjiteti. Ata nuk vuajtën!!!

Ate i drejtuan një letër Enver Hoxhës nga burgu Spaçit duke e pasur të qartë çfarë i pret. Filluan me këtë frazë aktuale ende sot:

“Një shtet ku në rendin e ditës janë parullat patriotike (për flamurin për atdheun për trojet e shenjta etj., etj), ai as nuk ka vdekur, dhe as nuk është vrarë, por është kalbëzuar. Në vijim të këtij gjykimi, në një shtet ku jeta e përgjithshme dhe e veçantë i nënshtrohet mendimit dhe rrugës politike të një suite të përjetshme dhe kur ky mendim permanent dhe politik – bëhet qëllim jete për popullin, pa dyshim që ky shtet është pushtuar (si në formacionin shoqëror, ashtu edhe në atë familjar) nga një humnerë amoraliteti. Këtë e ka vërtetuar historia e kolltukëve obskurantistë të shumë mbretërive e sundimtarëve të së kaluarës dhe të kohës që jetojmë, pavarësisht se këta udhëheqës e të zgjedhur të popullit janë munduar të notojnë me të gjitha metodat e demokracisë, lirisë e barazisë.”

Nuk ka nje foto te tyre ne TVSH. Nuk ka varr për ta. Nuk ka respekt për ta. Nuk ka kurgja për ta. Pse? Se ata na dhanë shembull morali e kurajo për të qenë të lirë.

Sindromi Stokolmit ndër shqiptarë është bërë gjenetik e kronik.
Shqiptarët përseri sundohen nga armata propaganduesve të regjimit komunist në art e kulturë i përqafuar nga turma me tru të shpëlarë

Në vjetin 1934 në një letër që At Gjergj Fishta, i dërgon Mithat Frashërit, ndër të tjera i shkruen: “Ajo Shqipni që kem mendue e dona unë e ti, nuk bahet me shqiptarë të sodit”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.