E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Aksident tragjik në Vlorë, humb jetën 52-vjeçari, katër të plagosur
Lajme

Aksident tragjik në Vlorë, humb jetën 52-vjeçari, katër të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur mëngjesin e sotëm aksin Dukat–Orikum, në zonën e Fushë-Dukatit, ku një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 06:10, kur një furgon që transportonte punëtorë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor. Dyshohet se grupi i udhëtarëve ishte nisur nga Tirana drejt zonave bregdetare për punë sezonale.

Sipas informacioneve paraprake, shkaku i aksidentit mund të lidhet me humbjen e kontrollit nga drejtuesi i mjetit, e dyshuar si pasojë e përgjumjes apo një problemi shëndetësor të papritur. Megjithatë, dinamika e plotë e ngjarjes pritet të zbardhet nga hetimet zyrtare.

Si pasojë e përplasjes fatale, ka humbur jetën Ilir Haka, 52 vjeç. Ndërkohë, të plagosur kanë mbetur Saimir Haka, 22 vjeç, Qazim Haka, 44 vjeç, Sako Rexha, rreth 22 vjeç, si dhe një tjetër person, identiteti i të cilit ende nuk është konfirmuar.

Për shkak të dëmtimeve të rënda të mjetit, ndërhyrja e forcave zjarrfikëse ka qenë e domosdoshme. Ekipet e shpëtimit janë detyruar të presin pjesë të strukturës së furgonit për të nxjerrë të plagosurit, të cilët kishin mbetur të bllokuar mes llamarinave, ndërsa mjeti kishte përfunduar pjesërisht i përmbysur në kanal.

Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po marrin trajtim mjekësor, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në morg për procedurat përkatëse.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të këtij aksidenti tragjik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.