Aksion kundër basteve në Tiranë, 5 të arrestuar dhe 2 në kërkim
Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Fati i Lojërave”, duke goditur disa raste të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit në Tiranë.
Aksioni u ndërmor pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, duke çuar në zbulimin e katër ambienteve të përshtatura për këtë aktivitet të kundërligjshëm. Në këto hapësira u konstatuan kompjutera të dedikuar për lojëra fati, si dhe tavolina pokeri.
Gjatë operacionit u sekuestruan 16 kompjutera, tavolina për lojën “Poker” dhe pajisje të tjera që shërbenin për organizimin e këtyre aktiviteteve.
Në pranga kanë përfunduar Xhuljan Kaloshi, Klajment Çurri, Redion Muka, Edmond Ndreka dhe Klodjan Vishkurti, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas Policisë, në një prej rasteve një 34-vjeçar u arrestua pasi në lokalin e tij u gjetën disa kompjutera të përdorur për baste. Në një tjetër rast, pronari i një ambienti dhe një punonjës u kapën me pajisje të dedikuara për lojëra fati.
Një tjetër ndërhyrje çoi në arrestimin e një 49-vjeçari, ndërsa administratori i ambientit është shpallur në kërkim. Po ashtu, një 22-vjeçar u kap në flagrancë teksa tentonte të shkatërronte provat materiale në një ambient ku u gjetën tavolina pokeri.
Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet për goditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme do të vijojnë edhe në ditët në vijim në ambiente dhe subjekte të tjera.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



