Aksion ndaj informalitetit në Elbasan, goditen ‘Elda’ dhe ‘Gega’
Një aksion i gjerë kundër informalitetit në tregun e hidrokarbureve ka nisur në qytetin e Elbasanit, ku” e përbashkët e Administratës Tatimore dhe Doganave ka ndërmarrë kontrolle intensive në disa pika tregtimi karburanti.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është pjesë e planit operacional të Ministrisë së Financave për monitorimin e sektorit të naftës, pas dyshimeve për abuzime me çmimet dhe evazion fiskal.
Gjatë kontrolleve në dy pika të njohura tregtimi, “Eida” dhe “Gega”, inspektorët kanë konstatuar një sërë shkeljesh të rënda të legjislacionit në fuqi.
Ndër shkeljet e evidentuara janë:
- Evasion fiskal përmes faturimit, pasi në disa raste nuk janë lëshuar fatura tatimore për konsumatorët;
- Punësim informal, me punonjës të padeklaruar në organet përkatëse;
- Karburant pa dokumentacion, ku janë konstatuar sasi nafte pa dokumente shoqëruese;
- Mungesë transparence për çmimet, për shkak të mosafishimit të listës së çmimeve dhe mospërditësimit të të dhënave të biznesit.
Autoritetet theksojnë se aksioni në Elbasan është vetëm faza e parë e një fushate më të gjerë kombëtare. Task-Forca, e krijuar më 11 mars, ka marrë kompetenca për të kryer kontrolle si në pikat e shumicës ashtu edhe në ato të pakicës në të gjithë vendin.
Kontrollet nuk do të kufizohen vetëm te dokumentacioni fiskal, por do të përfshijnë edhe verifikimin fizik të sasive të karburantit dhe monitorimin e çmimeve të shitjes, me synim parandalimin e çdo forme abuzimi në treg.
Sipas planit të Ministrisë së Financave, operacioni i monitorimit do të vijojë deri më 30 qershor 2026, bazuar në analizat e riskut të përgatitura nga administratat e Tatimeve dhe Doganave.
“Kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje në të gjithë territorin e vendit me qëllim luftën kundër informalitetit dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg,” thuhet në deklaratën zyrtare të Task-Forcës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



