Aktivisti i protestës Progni: Nuk më blen askush!
Aktivisti shpërthen pas akuzave dhe sulmeve ndaj protestës
Një nga aktivistët e protestës “underground” ka reaguar ashpër ndaj akuzave dhe sulmeve që, sipas tij, janë intensifikuar gjatë ditëve të fundit, duke pretenduar se ndaj tij po zhvillohet një fushatë e koordinuar si nga njerëz të lidhur me qeverinë, ashtu edhe nga grupime brenda opozitës dhe vetë protestës.
Në reagimin e tij, ai thotë se deri tani ka zgjedhur të heshtë për të mos dëmtuar protestën, pavarësisht akuzave të shumta që janë ngritur ndaj tij.
“Për hir të protestës kam kafshuar gjuhën gjithmonë në çdo sulm. Nga akuzat si i shitur i Zenit, i Belindës, i Spiropalit, i Gys Agasit e kujt tjetër që akoma s’më ka ardhur në vesh”, deklaron ai.
Aktivisti pretendon se gjatë angazhimit të tij publik ka denoncuar me emra konkretë persona që, sipas tij, kanë abuzuar me taksat e qytetarëve, ndërsa si kundërpërgjigje është akuzuar si “gjobëvënës”.
Ai përmend gjithashtu debatet që lindën pas marshimit drejt mbikalimit të Rinasit, duke sqaruar se devijimi i protestuesve drejt aeroportit, sipas tij, ishte ndërmarrë nga një grup tjetër dhe jo prej tij.
“Jam akuzuar si i pashkollë, si i droguar, si person nën hetim nga SPAK etj., ndërkohë që janë të gjitha gënjeshtra”, shprehet ai.
Sipas aktivistit, sulmet fillimisht janë nxitur nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa më pas janë përsëritur edhe nga një grupim që ai e identifikon si “Grupi i Bankës së Fundit”.
Ai ngre dyshime për një sinkronizim mes sulmeve që vijnë nga kahe të ndryshme politike.
“Çudia ime është: si ka mundësi që këto sulme janë sinkron me bandën që kemi në qeveri dhe bandën që kemi në opozitë? Si ka mundësi që qeveria po bën çmos të shkatërrojë protestën underground dhe ky grup po bën të njëjtën gjë?”, deklaron ai.
Aktivisti thotë se mes grupeve të protestës janë zhvilluar disa takime me qëllim koordinimin dhe shmangien e përplasjeve, por pretendon se edhe pas tyre sulmet dhe fyerjet kanë vazhduar.
“I kemi ulur dhe folur disa herë për t’u koordinuar pa prishur protestën. Kemi duruar sharje dhe vetëm për të mirën e protestës nuk kam reaguar”, shkruan ai.
Në fund, ai i referohet angazhimit të tij disavjeçar kundër mënyrës së funksionimit të AKSHI-t, duke deklaruar se nuk do të tërhiqet nga protesta pavarësisht presioneve.
“Unë e kam vërtetuar në pesë vite angazhim kundër AKSHI-t që nuk shitem dhe nuk ka lindur akoma njeri që të më blejë mua. Aty jam deri në vdekje dhe nuk më tremb askush, as shefat e Policisë që janë ulur me Visuarin dhe as nipat e Ulsi Manjës. Sot edhe më shumë!”, përfundon reagimi.
Pretendimet e ngritura në këtë deklaratë ndaj personave dhe grupimeve të përmendura janë qëndrime të autorit të reagimit dhe kërkojnë verifikim të pavarur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



