Akuzat e forta nga gazetarja: Balluku ka blerë Gjykatën Kushtetuese!
Gazetarja Anduena Llabani, ka artikuluar akuza të forta në lidhje me zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe zhvillimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas Llabani, ekzistojnë dyshime serioze se Balluku ka ushtruar ndikim mbi Gjykatën Kushtetuese për të siguruar një vendimmarrje në favor të saj. Duke folur hapur në studio, gazetarja u shpreh e bindur se kërkesa e Ballukut pritet të miratohet, duke paralajmëruar se një vendim i tillë mund të prodhojë pasoja të rënda si në planin politik, ashtu edhe në atë institucional.
Në vijim, Llabani theksoi se një numër i konsiderueshëm zyrtarësh të lartë ndodhen aktualisht nën hetim, ndërsa shumica e këtyre çështjeve, sipas saj, bazohen në raporte të ardhura nga institucione ndërkombëtare.
Ajo përmendi konkretisht se rreth 70 për qind e procedimeve hetimore për këta zyrtarë mbështeten në dokumentacion ndërkombëtar, duke listuar disa emra që, sipas saj, janë tashmë pjesë e hetimeve apo procedimeve aktive, si Pirro Vengu, Ceno Klosi, Niko Peleshi, Frida Krifca dhe Engjëll Agaçi.
Gazetarja ngriti gjithashtu pikëpyetje në News24 mbi aktivitetin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke u ndalur te tenderë që, sipas saj, lidhen kryesisht me pajisjet dhe veshjet ushtarake. Në këtë kontekst, ajo iu referua edhe deklaratave të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili së fundmi ka folur publikisht për herë të parë duke përmendur emra konkretë.
Sipas Llabani, Ahmetaj ka përmendur majorin Petri Cuni, për të cilin ekzistojnë dyshime se mund të ketë lidhje me kompani të përfshira në kontrata për prodhimin e veshjeve ushtarake, konkretisht me kompaninë KAYO. Ajo shtoi se tashmë ka nisur një proces hetimor për të sqaruar rolin e tij në këtë çështje.
Në përfundim, Llabani theksoi se informacionet e publikuara nga Ahmetaj shoqërohen me dokumente konkrete, element që ka shërbyer si bazë për hapjen e disa hetimeve. Sipas saj, bëhet fjalë për çështje me peshë të rëndë, të cilat pritet të kalojnë filtrin e drejtësisë në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



