Akuzat e Ilir Metës për takim me ish-shefin e FBI, reagon Altin Dumani: Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal! Akuza të pabaza ndaj institucionit që drejtoj

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), Altin Dumani ka reaguar për herë të parë pas akuzave të kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, se ky i fundit është takuar me Charls McGonigal dhe më pas ka nisur hetime për ish-Presidentin.

Dumani në një reagim për mediat, ka theksuar se ai nuk e ka takuar kurrë Charls McGonigal.

Sipas kreut të SPAK, gjithçka është thënë në media është në vazhdën e akuzave që behën ndaj institucionit që ai drejton.

Altin Dumani tha se nuk e ka njohur kurrë McGonigal dhe emrin e tij e ka dëgjuar pas publikimit të lajmeve në media.

“Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme, te pabaza që bëhen për institucion që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare.”, thekson Altin Dumani.

AKUZAT E METES
Ilir Meta ka akuzuar kreun e SPAK se eshte takuar me Charls McGonigal dhe pas ketij takimi ka nisur hetimet ndaj tij.

Ilir Meta thotë se SPAK përgjon telefonin e tij dhe kërkon që të sekuestojë PL-në, por theksoi se “nuk ka shans”.

“SPAK le të hetojë çfarë të ketë qejf, po të dojë lë të vijë këtu. SPAK le të bëjë cfarë të dojë. SPAKu torollaku nuk e sekuestron dot Partinë e Lirisë.

Se cfarë flas unë për ata e dinë shumë mirë sepse më përgjojnë telefonin. PL nuk e sekuestron dot SPAK, ky është qëllimi i operacionit të SPAK. Zero çështje të CEZ DIA.

Ata le të marrin të pandehur edhe Sashën, gjënë më të pafajshme në familjen tonë. Nuk ka shans që të sekuestrojnë PL”, tha Meta.

“Ai më merr të keqen mua. As më kërcet farë për atë mua. Ai është një frikacak. Ai duhet të japë dorëheqjen për atë deklaratën idiote që ka bërë, që tha “afërmendsh gjykata do vendosë atë që bën prokuroria”, tha Meta duke iu referua kreut të SPAK, Altin Dumanit.

Publikuar nga Publik Media