E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Akuzat e SPAK për ish-kryetarin e Bashkisë së Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Lajme

Akuzat e SPAK për ish-kryetarin e Bashkisë së Fushë Arrëzit, Fran Tuci

Një natë më parë, SPAK (Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) ka arrestuar ish-kryetarin e Bashkisë së Fushë Arrëzit, Fran Tuci, për akuzat e shpërdorimit të detyrës. Veprimet hetimore kanë treguar se Tuci, në bashkëpunim me ish Administratorin e Njësisë Administrative Iballë, Ndoc Marku, ka kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, që kanë rezultuar në mospërmbushje të rregullt të detyrës dhe dëme të rënda materiale për shtetin.

Aksioni i SPAK-u ka ardhur pas zbardhjes së fakteve dhe provave që tregojnë se një segment i ri rrugor auto rural është hapur në territorin e Bashkisë Fushë Arrëz, pa miratimin e autoriteteve kompetente. Kjo veprimtari ka shkaktuar dëme të mëdha në fondin pyjor dhe pronën e bashkisë, duke kapur një sipërfaqe të konsiderueshme. Vlera e dëmit, e përcaktuar nga IKMT Shkodër, shkon në 234,007,500 lekë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur masën e sigurimit “Arresti në burg” për Fran Tuci, duke iu referuar akuzave për shpërdorim detyre në bashkëpunim. Ndoc Marku, ish Administratori i Njësisë Administrative Iballë, është caktuar me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi”. Po ashtu, një person tjetër në hetim, i cili është dyshuar për shkatërrim të pronës, është caktuar me masën e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Policia Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka ekzekutuar masat e sigurimit ndaj Fran Tucit dhe Ndoc Markut, ndërsa vazhdon procedura e ekzekutimit të masës së sigurimit ndaj personit të tretë në hetim.

Pas përcjelljes së akteve procedurale nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Pukë, për shkaqe kompetence lëndore, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 67 të vitit 2023 për hetimin e hapjes së segmentit të ri rrugor në territorin administrativ të Bashkisë Fushë Arrëz.

Është e rëndësishme të theksohet se çdo person prezumohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.