Alarm për bombë pranë portit në Durrës
Një objekt i dyshimtë ka ngritur alarmin mëngjesin e kësaj të premteje në Durrës, në një moment kur vendi ndodhet nën vëmendje të shtuar pas kërcënimeve me bombë të dërguara një ditë më parë në dhjetëra institucione.
Objekti është konstatuar në rrugën paralele me portin detar të Durrësit. Bëhet fjalë për një telefon celular, të cilit i ishte lidhur një masë e dyshimtë, duke ngritur dyshimet se mund të bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese.
Mësohet se objekti është pikasur nga një qytetar, i cili e ka parë në rrugë pasi ka zbritur nga automjeti dhe ka njoftuar menjëherë autoritetet.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë, të cilat kanë vendosur një perimetër sigurie dhe kanë izoluar zonën. Për verifikimin e objektit janë njoftuar edhe forcat xheniere.
Ende nuk dihet nëse objekti përbën realisht rrezik apo bëhet fjalë për një alarm të rremë, ndërsa verifikimet në terren vijojnë.
Ngjarja vjen vetëm një ditë pas alarmit të shkaktuar nga e-maile kërcënuese për vendosjen e bombave, të dërguara në mbi 100 institucione në të gjithë vendin. Policia kreu kontrolle në institucionet e përfshira, por nuk konstatoi lëndë shpërthyese.
Në Durrës, mes institucioneve të kërcënuara një ditë më parë ishin edhe Bashkia dhe Gjykata, çka ka shtuar vëmendjen e autoriteteve ndaj çdo objekti të dyshimtë të konstatuar në qytet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



