Alarm për sigurinë në shkolla: 42-vjeçari përndiqte nxënësit me thikë në Krrabë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin në Krrabë, ku një 42-vjeçar u kap duke kërcënuar dhe përndjekur nxënës të Shkollës së Mesme të Bashkuar.
Sipas burimeve, i dyshuari me inicialet A. B., banues në Tiranë, për disa ditë me radhë kishte kanosur nxënës nga klasa e 9-të deri në klasën e 12-të, teksa ata shkonin në shkollë. Pas raportimeve të prindërve dhe nxënësve, policia e identifikoi dhe arrestoi atë pranë shkollës.
Gjatë kontrollit fizik, autoritetet gjetën një thikë në posedim të tij, e cila dyshohet se përdorej për të trembur nxënësit. Pas ndalimit, A. B. u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij janë ngritur akuzat për “Kanosje” dhe “Përndjekje”.
Kjo ngjarje ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e nxënësve në shkolla, veçanërisht pasi institucionet arsimore dhe rrugët përreth tyre janë shndërruar në vende me rrezik të lartë. Prindërit kërkojnë më shumë masa mbrojtëse për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.
Hetimet mbi rastin po vijojnë për të zbardhur motivet dhe detajet e tjera të ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



