E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Alarmi nga KE: Politika dhe zyrtarët ushtrojnë presione ndaj drejtësisë
Bota

Alarmi nga KE: Politika dhe zyrtarët ushtrojnë presione ndaj drejtësisë

Pavarësia dhe paanshmëria e sistemit gjyqësor në Shqipëri marrin nota të kënaqshme nga Komisioni Europian, sipas progres-raportit të publikuar sot. Megjithatë, raporti nënvizon rritjen e ndërhyrjeve dhe presioneve politike ndaj drejtësisë, veçanërisht në institucionet e reja si SPAK dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD).

Sipas raportit, është vërejtur një rritje e përpjekjeve nga zyrtarë publikë dhe politikanë për të ndikuar në sistemin gjyqësor. Adresohet gjithashtu procedura për zgjedhjen e kreut të SPAK dhe BKH-së, ku Komisioni Europian thekson se, megjithëse procesi ka qenë i hapur dhe konkurrues, vonesa të konsiderueshme kërkojnë që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të miratojë rregulla më të qarta për rastet e ardhshme.

“Pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit është e kënaqshme në gjykatat e nivelit më të lartë dhe në gjykatat e shkallës së parë. Ndërsa qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar, përpjekjet nga zyrtarët publikë ose politikanët për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të panevojshëm janë rritur dhe ngrenë shqetësime serioze, veçanërisht reagimet dhe përpjekjet e papara publike për të ushtruar presion nga degët ekzekutive dhe legjislative kundër SPAK dhe ILD. Shtatë magjistratë u vunë nën mbrojtje. Institucionet vetëqeverisëse ishin të zëshme në denoncimin e presionit politik mbi gjyqësorin, duke lëshuar deklarata publike,” thuhet në raport.

Raporti nënvizon gjithashtu dobësinë e infrastrukturës së gjykatave, duke përmendur rastin e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, që tregoi nevojën për masa të forta për sigurinë e magjistratëve.

“Ndërsa Qeveria i ka ndarë ambientet e nevojshme Gjykatës së Apelit, cilësia e infrastrukturës mbetet përgjithësisht e dobët. Kjo ka çuar në mbipopullim dhe praktikën e vazhdueshme të seancave dëgjimore në dhomat e gjyqtarëve. Nuk është bërë përparim në sigurimin e standardeve të mjaftueshme të sigurisë për gjyqtarët dhe prokurorët. Vrasja fatale e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Tiranës gjatë një seance gjyqësore ka theksuar më tej shqetësimet në lidhje me pamjaftueshmërinë e infrastrukturës së gjykatës, si dhe sulmet personale të dëmshme ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve,” thuhet në raport.

Në nivelin e SPAK, raporti evidenton mundësinë për transparencë dhe verifikueshmëri më të madhe të marrjes në pyetje, veçanërisht përmes dhomave të reja të marrjes në pyetje.

Gjithashtu, efikasiteti i sistemit të drejtësisë është i kufizuar për shkak të kohëzgjatjes së procedurave dhe ngarkesës së çështjeve të prapambetura. Komisioni Europian thekson nevojën për përpjekje më të bazhdueshme për dixhitalizimin e sistemit gjyqësor, në mënyrë që të përmirësohet shpejtësia dhe efikasiteti i procesit gjyqësor.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.