Studentët sfidojnë politikën, krijojnë Lëvizjen Kombëtare: Do të ketë themelues, por jo lider
Pas 20 ditësh protestash dhe përplasjesh me përfaqësuesit e politikës, studentët kanë ndërmarrë një hap të ri organizimi, duke krijuar Lëvizjen Studentore Kombëtare. Nisma është bërë publike nga studentja e psikologjisë, Livia Dedej, e cila ka shpjeguar edhe mënyrën se si do të funksionojë kjo strukturë.
E ftuar në emisionin “Review” në Euronews, Dedej ka bërë të ditur se lëvizja nuk synon të shndërrohet në një parti politike dhe as të drejtohet nga një individ i vetëm. Sipas saj, organizimi do të mbështetet te një model kolektiv, ku do të ketë themelues, por jo një lider që merr drejtimin e të gjithë strukturës.
Krijohet një lëvizje e re studentore
Studentët sfidojnë politikën dhe krijojnë Lëvizjen Kombëtare. Studentja ka sqaruar se krijimi i kësaj lëvizjeje vjen si nevojë për të bashkuar studentët dhe për të artikuluar një zgjidhje politike. Ajo nuk lidhet me ndonjë ideologji apo forcë të caktuar politike.
“Në mënyrën se si ne e kemi ideuar Lëvizjen Studentore Kombëtare, kemi vendosur të ketë themelues por jo udhëheqës. Pra do krijohet tani, pasi na duhet një bashkim dhe na duhet një zgjidhje politike, por nuk do të kthehet asnjëherë në parti, në mënyrë që kjo strukturë të përdoret edhe nga studentët e tjerë disa vite më vonë.
Pa ideologji dhe pa ambicie partiake
“Gjëja tjetër është që ne nuk duam që të kapemi tani te ideologjitë që ne i kemi të gjithë të ndryshme aty në shesh, kemi një kauzë të përbashkët dhe ne e shohim që edhe klima politike që kemi në këto momente nuk na lejon që të formojmë parti dhe nuk e kemi këtë ambicie. Çdo student mund të bëhet pjesë”, deklaroi Livia Dedej.
Një tjetër çështje ku Dedej është ndalur ka qenë raporti i protestës me partitë politike. Ajo ka këmbëngulur se studentët nuk janë pjesë e ndonjë force politike dhe se arsyeja që i ka nxjerrë në rrugë lidhet me pakënaqësitë e tyre dhe kërkesat për ndryshim.
Thirrje deputetëve
Në këtë kontekst, studentja u ka bërë thirrje deputetëve që të mos përpiqen të përfitojnë politikisht nga tubimet. Ajo ka nënvizuar se ata që kanë përgjegjësi për situatën aktuale të vendit nuk duhet ta përdorin protestën për interesat e tyre.
Krijimi i Lëvizjes Studentore Kombëtare shënon kështu një fazë të re të organizimit të studentëve, të cilët pas 20 ditësh protestë synojnë të krijojnë një strukturë që të mos varet nga një drejtues i vetëm dhe të mbetet e hapur edhe për brezat e ardhshëm të studentëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



