Alarmi: Qumështi dhe vezët piqen në diell, AKU në gjumë
Një denoncim i fundit në media ngre shqetësime serioze mbi funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), institucion i cili ka për detyrë garantimin e sigurisë ushqimore në vend, por që sipas qytetarëve po dështon në mënyrë të dukshme.
Pamjet e siguruara tregojnë një automjet transporti të mbushur me produkte ushqimore, të ekspozuara drejtpërdrejt nën temperatura ekstreme. Në kushte ku termometri ka arritur deri në 40°C, në mjet transportohen produkte si qumësht, vezë, fruta, ujë dhe pije freskuese, pa asnjë standard të dukshëm ruajtjeje apo sistemi ftohës.
Kjo situatë ngre pikëpyetje të forta mbi mungesën e kontrollit institucional: ku janë inspektorët e AKU-së dhe pse nuk ushtrohet mbikëqyrja ndaj mënyrës së transportit të produkteve që përfundojnë në treg dhe konsumohen nga qytetarët?
Produktet e bulmetit dhe ushqimet e ndjeshme kërkojnë kushte të kontrolluara transporti për të shmangur prishjen dhe rrezikun për shëndetin. Ekspozimi i tyre për orë të tëra në temperatura të larta përbën jo vetëm neglizhencë, por një kërcënim real për sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik.
Ndërkohë që qytetarët kontribuojnë përmes taksave për funksionimin e institucioneve përgjegjëse, raste të tilla tregojnë një hendek të madh mes detyrës dhe realitetit në terren.
Nëse këto produkte dalin në treg dhe konsumohen, lind një pyetje thelbësore: kush do të mbajë përgjegjësi për pasojat e mundshme? A do të vijojë AKU të reagojë vetëm pas denoncimeve dhe skandaleve, apo do të nisë të ushtrojë realisht funksionin për të cilin është ngritur?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



