Albin Kurti për ‘gjynah’, me vetëm 16.41 euro në llogarinë bankare

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dorëzuar deklarimin e radhës të pasurisë, ku bie në sy një stabilitet i përgjithshëm ekonomik, por me disa ndryshime të vogla në detaje.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, të ardhurat dhe pasuritë kryesore mbeten pothuajse të pandryshuara, ndërsa janë evidentuar lëvizje në kursime dhe shpenzime mujore.

Në pjesën e pasurive të paluajtshme, nuk rezulton asnjë ndryshim. Kurti vijon të deklarojë si pronë banesën në emër të bashkëshortes, me një vlerë të raportuar prej 530 mijë euro.

Sa i përket gjendjes së likuiditetit, ai ka deklaruar një shumë simbolike prej 16.41 euro në emrin e tij. Ndërkohë, bashkëshortja zotëron 19,500 euro kursime, të ardhura nga paga dhe trashëgimia familjare. Në deklarim përfshihen edhe kursimet e vajzës: 2,000 euro si kursime dhe 50 euro të tjera të përfituara si dhurata nga familjarët.

Krahasuar me një vit më parë, kur kishte deklaruar 1,800 euro kursime, vihet re një rënie në shumën e përgjithshme të kursimeve.

Në kategorinë e detyrimeve financiare, evidentohet kredia e bashkëshortes, me një vlerë të mbetur prej 160 mijë euro. Ndërkohë, është rritur edhe qiraja mujore e banesës, e cila aktualisht arrin në 350 euro, nga 250 euro që paguhej një vit më parë.

Për sa i përket të ardhurave vjetore, Kurti ka deklaruar 21,315 euro nga paga si kryeministër, ndërsa bashkëshortja e tij ka raportuar të ardhura prej 51 mijë euro.

Publikuar nga Publik Media