“Aleanca” greko-shqiptare e skandalit me tunelin e Llogarasë
Tenderi prej rreth 2 milionë euro për mbikëqyrjen e punimeve të tunelit të Llogarasë, i zhvilluar në vitin 2021 nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, konsiderohet nga SPAK si një nga rastet më të rënda të dyshuar të abuzimit financiar, klientelizmit dhe trukimit të procedurave publike.
Sipas dosjes hetimore, tenderi u zhvillua në kohën kur ministrinë e drejtonte Belinda Balluku, ndërsa në krye të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave ishte Evis Berberi, atëherë funksionar i besuar i saj. SPAK pretendon se Berberi ka qenë koordinatori kryesor i një skeme të organizuar për t’i orientuar kriteret e tenderit drejt konsorciumit të dëshiruar.
Takimet dhe marrëveshja e dyshuar për fiksimin e çmimeve
Në aktet e hetimit përfshihen komunikime dhe dëshmi të inxhinierit grek Ioannis Kirkinezis, përfaqësues i kompanisë “Hill International V.N”. Ai ka deklaruar se është takuar në Tiranë me Berberin në disa raste, ku sipas SPAK-ut, është diskutuar fiksimi i çmimit të supervizimit dhe mënyra se si duhej trukuar gara. Sipas dosjes, grekut i ishte kërkuar që të pranonte si ortak shqiptar kompaninë “Net Group”, e lidhur me biznesmenin Valter Begaj.
Kjo strukturë greko–shqiptare, sipas SPAK, është ngritur me dijeninë e Ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila dyshohet se ka miratuar konfigurimin e garës.
Roli i kompanive “DAAM” dhe “Net Group”
Në terren, pjesa kryesore e supervizimit rezulton të jetë kryer nga inxhinierët e kompanisë shqiptare “DAAM”, të cilët u përfshinë në projekt përmes nënkontraktimit nga “Net Group”. Katër inxhinierët e identifikuar në dokumente janë:
-
Endri Stafa
-
Enerti Begaj
-
Enton Bani
-
Tomorr Spahiu
Hetimi ka konstatuar se lidhjet mes “DAAM” (në pronësi të Evis Lamit) dhe “Net Group” janë të ngushta dhe se të dy kompanitë administroheshin në mënyrë joformale nga Evis Berberi.
Rasti i inxhinierit Tomorr Spahiu dhe pagesat e dyshuara të fryra
Në dokumentet hetimore rezulton se inxhinieri Tomorr Spahiu ka qenë i deklaruar në raportet mujore të supervizimit nga qershori deri në gusht 2022, periudhë kur ai vetë pohon se ka ofruar shërbime si inspektor terreni. Spahiu është paguar rreth 150.000 lekë neto në muaj, pagë e cila reflektohet në listë–pagesat e “DAAM” dhe “Net Group”.
Megjithatë, sipas SPAK, kompania “DAAM” rezulton të ketë faturuar shuma shumë më të larta sesa pagesat reale të inxhinierëve të angazhuar.
Fryrja e faturimeve dhe përfitimi i dyshuar financiar
Sipas dosjes:
-
Kosto e deklaruar e pagave të inxhinierëve (gusht 2022 – mars 2023): rreth 16.9 milionë lekë të vjetra
-
Shuma e faturuar nga “DAAM” ndaj “Net Group” për të njëjtin shërbim: 192.289.000 lekë të vjetra
-
Fitimi i dyshuar fiktiv sipas SPAK: 175.369.000 lekë të vjetra
SPAK konsideron se vlera e përfituar nga “DAAM” përmes faturave të fryra dhe nënkontraktimit fiktiv është një përfitim i parregullt ekonomik që i atribuohet Evis Berberit.
Çfarë pritet të ndodhë?
Hetimet për tenderin e mbikëqyrjes së tunelit të Llogarasë vijojnë, ndërsa Berberi dhe disa drejtues të kompanive të përfshira janë nën hetim për:
-
Shpërdorim detyre
-
Korrupsion
-
Mashtrim me fonde publike
-
Trukim të procedurave të prokurimit
SPAK pritet të thërrasë edhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës së kohës, ndërsa dosja konsiderohet një nga hetimet më të ndjeshme për skemat e dyshuara korruptive në sektorin e prokurimeve në infrastrukturë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



