Alibeaj: Disa kolegë kërkuan që Berisha të mos ishte pjesë e grupit dhe të mos kandidonte më për kryetar, por…
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj prezantoi sot platformën e bashkimit të PD-së e firmosur nga rreth 32 deputetë, mes tyre dhe Lulzim Basha me 5 pika dhe 2 hapa, por asnjë pikë nuk përjashton ish-kryeministrin Sali Berisha nga rikandidimi për kreun e PD-së dhe as mosrikthimin e tij në grupim parlamentar.
Alibeaj tha se ka pasur propozime që Berisha dhe Basha të mos kandidojnë më për pozicionin e kryetarit të Partisë që kërkonin që të specifikohej që Sali Berisha nuk mund të jetë pjesë e grupit parlamentar, por nuk ka pasur dakordësi nga shumica.
“Për të qenë transparent, ka pasur edhe propozime shtesë të disa kolegëve, por procedura e ndjekur e konsultimit dhe hartimit të një qëndrimi që gëzonte mbështetjen më të gjerë, ishte që nëse një apo disa kolegë të tjerë nuk ishin dakord, atëherë propozimi shtesë mbi atë të mësipërmin, nuk mund të përfshihej.
Për ilustrim:
a) kolegët Agron Gjekmarkaj, Ferdinand Xhaferraj, etj., kishin propozim shtesë që në qëndrim të specifikohej se Sali Berisha dhe Lulzim Basha nuk mund të kandidojnë për pozicionin e kryetarit të Partisë.
b) Kolegët Alfred Rushaj, Fatjon Veizaj, etj. kishin disa komente që kishin të bënin me përcaktimin e kritereve të qarta për zgjedhjen e kryetarit të partisë apo komente të tjera shtesë.
c) Kishte edhe disa kolegë që kërkonin që të specifikohej që Sali Berisha nuk mund të jetë pjesë e grupit parlamentar, apo dy kolegë të tjerë që kërkonin të specifikohej që Sali Berisha duhet të kthehej në Grupin Parlamentar.
Por të gjitha këto çështje, sa kohë nuk kishin dakordësinë e shumicës së deputetëve që propozojnë dhe mbështesin këtë qëndrim, nuk mund të përfshiheshin në këtë qëndrim të shumicës së Grupit Parlamentar. Megjithatë këto cështje janë të hapura për tu diskutuar në një moment tjetër, me frymë mirëkuptimi dhe gjithëpërfshirje”, deklaroi Alibeaj.
Ai theksoi se këtë qëndrim të shumicës së Grupit Parlamentar, do e bëj me dije edhe anëtarëve të Kryesisë së Partisë, anëtarëve të Kolegjit të Kryetarëve dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
“Dua të falënderoj edhe njëherë secilin prej kolegëve që me prezantimin e këtij qëndrimi, njëlloj siç vepruan me kërkesën për tërheqjen e zotit Basha, vendosin në plan të parë, interesin e Partisë Demokratike, interesin e demokratëve, ndërmarrin akte konkrete për bashkimin e Partisë Demokratike, duke ndaluar çdo rrugë të njëanshme, përçarëse për partinë, dhe nga e cila përfiton vetëm Edi Rama. Tani është koha që cdo deputet, të shoh përtej interesit të tij, të shoh përtej interesit të një grupi të ngushtë, të shoh përtej qëndrimit që ka patur deri më tani, duke iu bashkuar shumicës së grupit parlamentar, në këtë qëndrim përbashkues të demokratëve”, tha Alibeaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



