E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Altin Dumani i tregon ‘muskujt’ Ballukut: Jemi brenda afateve
Lajme

Altin Dumani i tregon ‘muskujt’ Ballukut: Jemi brenda afateve

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është aktualisht nën hetim nga SPAK për disa kallëzime penale të depozituara nga Partia Demokratike.

Këtë e konfirmoi vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit të tij në Kuvend, teksa iu përgjigj pyetjeve të deputetit demokrat Klevis Balliu. Ky i fundit kërkoi informacion mbi hetimet që lidhen me disa çështje të rëndësishme, përfshirë shitblerjen e energjisë, ndërtimin e parqeve fotovoltaike, tunelin e Llogarasë, si dhe anijet “Tigri 1” dhe “Tigri 2”.

Balliu akuzoi SPAK-un për vonesa në hetime, duke pretenduar se ekzistojnë prova konkrete që tregojnë abuzime në sektorin e energjisë.

“Për shembull, ju vetë keni zhvilluar një procedurë për ndërtimin e një parku fotovoltaik në godinën tuaj, me një kosto shumë më të ulët se ajo që ka paguar zonja Balluku. A është kaq e vështirë për SPAK që t’i hetojë këto çështje?”, u shpreh Balliu.

Deputeti demokrat ngriti gjithashtu shqetësimin për projektin e anijeve “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, duke theksuar se kompania fituese kishte raportuar fitimin e tenderit në SHBA, në një kohë kur procedura në Shqipëri ende nuk ishte zhvilluar.

Në përgjigje, kreu i SPAK, Altin Dumani, theksoi se hetimet për këto kallëzime janë ende në fazën paraprake dhe për këtë arsye nuk mund të japë detaje. Ai mohoi se ka pasur vonesa apo zvarritje në proces.

“Sa kohë që çështjet ndodhen në hetim paraprak, nuk mund të japim informacion. Ajo që është e rëndësishme për ne është respektimi i afateve ligjore. Për sa kohë hetimet zhvillohen brenda afateve të parashikuara, nuk mund të flitet për zvarritje. Duhet marrë në konsideratë edhe rëndësia dhe kompleksiteti i çështjeve, si dhe ngarkesa e prokurorëve”, u shpreh Dumani.

Në vijim të debatit, Balliu pyeti gjithashtu nëse janë verifikuar denoncimet ndaj ministres për parqet fotovoltaike, tunelin e Llogarasë, termocentralet dhe projektet e tjera infrastrukturore, duke nënvizuar se ato përfshijnë “miliona euro të shpërdoruara nga buxheti i shtetit”.

Gjatë raportimit, Dumani iu përgjigj edhe një pyetjeje të Balliut nëse prokurori special Dritan Prençi është përballur me kërcënime për shkak të hetimeve që lidhen me Ballukun.

“Prokurori Prençi, ashtu si çdo prokuror tjetër i SPAK, ka mbështetjen time të plotë. Deri më tani nuk më është raportuar asnjë rast kërcënimi ndaj tij. Unë jam përpjekur të garantoj një ambient pune ku prokurorët ndihen të lirë të ushtrojnë detyrën e tyre pa ndërhyrje apo presione”,  deklaroi Dumani.

Po gjatë seancës, kreu i SPAK iu përgjigj edhe pyetjes së deputetit demokrat Belind Këlliçi, i cili kërkoi informacion mbi përfshirjen e Ballukut në çështjen e aeroportit të Vlorës.

“Sa i përket çështjes së përmendur, ajo ndodhet ende në fazën e hetimit paraprak, ndaj nuk mund të jap asnjë koment shtesë”, – tha Dumani.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.