Ambasada e SHBA: Protesta mund të zgjerohet në ndërtesat qeveritare
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka publikuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë, pas përshkallëzimit të protestës që po zhvillohet këtë të martë në kryeqytet.
Në paralajmërimin e saj, ambasada bën të ditur se demonstrata në Rrugën e Durrësit, pranë Sheshit Skënderbej, është shoqëruar me akte dhune dhe hedhje gurësh. Për këtë arsye, qytetarëve amerikanë u kërkohet të tregojnë vigjilencë dhe të shmangin zonat ku po zhvillohen protestat.
Sipas njoftimit, tubimi mund të shtrihet edhe në blloqet dhe ndërtesat qeveritare në afërsi, duke sjellë masa shtesë sigurie dhe vështirësi në qarkullim.
“Një protestë në Rrugën e Durrësit, ngjitur me Sheshin Skënderbej, është duke vazhduar aktualisht dhe është shndërruar në të dhunshme për shkak të hedhjes së gurëve. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht prani të shtuar të policisë, ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Thirrje për vigjilencë dhe ndjekjen e udhëzimeve të autoriteteve
Përfaqësia diplomatike u kërkon shtetasve amerikanë të kenë si përparësi sigurinë personale dhe të informohen përmes mediave lokale mbi zhvillimet e fundit.
“Ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit”, thuhet në mesazhin e ambasadës.
Paralajmërimi vjen në një mbrëmje të shoqëruar me tensione në disa zona të Tiranës. Pas përplasjeve pranë Ministrisë së Arsimit dhe në rrugët përreth, një pjesë e protestuesve u zhvendosën drejt Bashkisë së Tiranës, ku u raportuan hyrja e disa të rinjve në hollin e godinës dhe përdorimi i gazit lotsjellës nga policia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



