Ambasadori i SHBA-së: E ardhmja e Shqipërisë i përket rinisë së saj!
Roli i të rinjve në zhvillimin e Shqipërisë dhe rëndësia e arsimit cilësor në përgatitjen e brezit të ardhshëm të drejtuesve ishin në qendër të një takimi të ambasadorit amerikan në Tiranë, Eric Wendt, me studentët e Akademisë Amerikane të Teknologjisë.
Diplomati amerikan zhvilloi një vizitë pranë Akademisë Amerikane të Teknologjisë në Tiranë (AATT), ku u takua me studentët e Institutit të Teknologjisë të Rochester-it. Gjatë bashkëbisedimit, ai u njoh me programet dhe mundësitë që ofron modeli amerikan i arsimit, si dhe me ndikimin e teknologjisë dhe inovacionit në formimin profesional të të rinjve.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua ideve dhe perspektivave të studentëve për të ardhmen e vendit. Wendt dëgjoi propozimet e tyre mbi nismat dhe hapat konkretë që mund të kontribuojnë në zhvillimin e Shqipërisë, duke vënë në pah rëndësinë e përfshirjes aktive të brezit të ri në proceset që përcaktojnë drejtimin e shoqërisë.
Në mesazhin e përcjellë pas takimit, ambasadori amerikan nënvizoi se të rinjtë janë një faktor vendimtar për të ardhmen e vendit dhe se arsimimi, inovacioni dhe idetë e tyre përbëjnë elementë thelbësorë për përparimin e Shqipërisë.
“E ardhmja e Shqipërisë i përket rinisë së saj”, ishte mesazhi kryesor i diplomatit amerikan, i cili përmes këtij takimi vuri theksin te potenciali i studentëve dhe rëndësia e krijimit të mundësive që ata të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.
Postimi i plotë i ambasadës së SHBA-së në Tiranë:
E ardhmja e Shqipërisë i përket rinisë së saj. Ambasadori Eric Uendt u takua me studentët e Institutit të Teknologjisë të Rochester-it në Akademinë Amerikane të Teknologjisë në Tiranë (AATT) për të parë nga afër se si edukimi amerikan i nivelit më të lartë dhe inovacioni po i përgatisin ata për të udhëhequr, dhe dëgjoi idetë e tyre për hapat konkretë që mund ta çojnë Shqipërinë përpara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



