AMP arreston punonjësin e Gardës për dhunë në familje
Një punonjës i Gardës së Republikës është arrestuar në flagrancë nga Drejtoria Rajonale e Tiranës, nën dyshimet për përfshirje në veprën penale “dhuna në familje”, e parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal.
Hetimet kanë nisur pas kallëzimit të bashkëshortes së tij, e cila ka denoncuar ushtrim të dhunës fizike dhe psikologjike, si edhe kanosje të përsëritura ndaj saj.
Në vijim të veprimeve hetimore, autoritetet kanë ushtruar kontroll në banesën e të dyshuarit, ku janë sekuestruar tre telefona celularë që dyshohet se përmbajnë të dhëna me interes për hetimin.
Pas administrimit të provave dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer arrestimin në flagrancë të punonjësit të Gardës së Republikës. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vijimin e hetimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



