AMP ‘zbarkon’ në Sarandë e Ksamil, efektivët në shënjestër
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur një hetim të thelluar mbi fenomenin e ndërtimeve pa leje në zonat turistike të Sarandës dhe Ksamilit, duke vënë në fokus rolin e strukturave policore në terren.
Qëllimi i hetimit është të verifikohet nëse efektivët e policisë kanë pasur përgjegjësi në lejimin apo mosparandalimin e këtyre ndërtimeve të paligjshme. Deri në këtë fazë, dy punonjës policie janë arrestuar në kuadër të procedimit.
Ky zhvillim vjen pas evidentimit të dy rasteve të fundit në këto zona. Në një prej tyre, Prokuroria vendosi sekuestrimin e një kati hoteli që ishte ndërtuar në kundërshtim me ligjin. Ndërsa në një tjetër rast, në një prej plazheve të Ksamilit, u arrestuan tetë punëtorë që po kryenin punime pa leje.
Sipas burimeve paraprake, hetimet pritet të shtrihen edhe mbi veprimet dhe mosveprimet e strukturave përgjegjëse për kontrollin e territorit. Autoritetet synojnë të zbardhin nëse ka pasur tolerim, neglizhencë apo përfshirje të drejtpërdrejtë të efektivëve në këto raste.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



