Analiza/ 30 qershori ose braktisja masive e votimeve
Njëra palë u fut në zgjedhje e vetme, me kredon zyrtare për t’i dhënë fund spirales së krizës politike pas largimit të opozitës nga Parlamenti, por de facto për të marrë nën zaptim pushtetin lokal, pa konkurrencë dhe zgjedhje mes kandidatëve. Asnjë reflektim për përqindjen e ulët në votime, asnjë marrje përgjegjësie nga partia në pushtet për akuzat e bëra brenda dhe jashtë vendit, por duartrokitje në kor për “udhëheqësin” e PS (jo kryetari e partisë?!), siç dëgjova ta quante veten sot Kryeministri Rama. Kaq shumë pushtet i grumbulluar në një dorë, në një parti, duhet të trembte edhe vetë socialistët që e njohin mirë dëmin që pushteti i baballarëve të tyre ideologjikë të PPSH i shkaktoi Shqipërisë.
Elita politike ka humbur prej kohësh kontaktin me realitetin dhe sot, më 30 qershor, u detyrua ta fitonte këtë me zor kur u përball me braktisjen masive të votimeve. “Një politikë që shërben, që nuk përjashton, që bashkon…”, këto ishin disa nga mesazhet kyçe të Kryeministrit në fjalën e tij, pas mbylljes së procesit të votimeve, të cilat jo në këtë renditje, por me të njëjtën përmbajtje i ka shprehur edhe gjatë fjalimeve të tij në fitoret e zgjedhjeve qendrore më 2013 dhe 2017. Por realiteti ka qenë ndryshe! “Populli” dënoi votimet farsë, po anëtarët e PS, PD dhe LSI do të kërkojnë në strukturat e tyre mbajtje përgjegjësie nga drejtuesit e partisë pas kësaj humbjeje?! Për sa kohë kjo nuk ndodh, 30 qershori nuk na ka shërbyer për asgjë.
Organizatat ndërkombëtare nga ana tjetër, me zgjedhjet e sotme “ruajtën fytyrën” dhe i shkuan procesit me kokëfortësi deri në fund, për t’i dhënë një mësim opozitës “rebele” shqiptare, por dhe politikës rajonale në përgjithësi. Mbështetja nga ana e tyre e një procesi zgjedhor monopartiak, edhe pas akuzave të drejta të opozitës për blerje votash nga eksponentë të PS, do të mbetet një njollë e errët në kontributin e tyre për demokracinë në rajon. Natyrisht që skandalet nga të dyja krahët në këto 27 vjet i kanë bërë ata më cinikë dhe të pandjeshëm, nuk diferencojnë shumë mes PS apo PD, edhe kur njëra palë qëllon të ketë të drejtë. Paqja dhe stabiliteti rajonal janë më të rëndësishme se krizat e përsëritura brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor. Përgjegjësia, sidoqoftë, është vetëm e jona.
Dhe ndërsa palët duken të lehtësuara, fituesi dhe humbësi i madh mbeten shqiptarët, që sot dënuan me bojkotin e tyre sistemin e kalbur politik, por nesër nuk kanë garanci përballë një pushteti të mundshëm hakmarrës që edhe pse u godit rëndë, nuk ka gjasë të bjerë aq shpejt!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




