Anëtari dorëhiqet nga PD-ja, i shkruan letër Presidentit Biden
Edvin Cami
Të dashur shoqe të mia dhe shokë të Partisë,
Po mendoja që kërkesën për ndërprerjen e anëtarësisë sime në Partinë Demokratike ta drejtoja te Partia Demokratike Dega 8, Tiranë, ku edhe i qeshë rikthyer anëtarësimit në PD pas humbjes së zgjedhjeve të tetë viteve të shkuara.
Mirëpo duke e menduar ca më mirë, vendosa që, në përputhje me rrethanat e reja, ta riformuloja kërkesën, që po jua paraqes si projekt juve për konsultim. A jeni dakord që unë të firmos shkresën si më poshtë? Këndojeni një herë dhe më thoni nëse ka ndonjë gjë për të shtuar a për të hequr.
Drejtuar:
Z. Joseph Robinette Biden, Jr., Presidenti i SHBA-ve
Z. Antony Blinken, Sekretar i Shtetit i SHBA-ve,
Znj. Yuri Kim, Ambasadore e SHBA-ve në RSH
Për dijeni:
Z. Pellumb Seferi, Kryetar i PD e Shqipërisë, Njësia 8
I nderuar z. President i SHBA-ve,
Pas vendimit Tuaj për të pezulluar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Shqipërisë deputetin prof. dr. Sali Berisha, unë lutem për miratimin nga ana Juaj edhe të dorëheqjes sime nga kryesia e PD Njësia 8, nga Kongresi i PD, si dhe për ndërprerjen e anëtarësisë sime në Partinë Demokratike të Shqipërisë gjersa të sqarohet çështja e deputetit të sipërpërmendur.
Taksirat e keni që kërkesa ime të merret parasysh.
Me shprehje të konsideratës sime më të lartë,
Edvin Cami
(Nënshkrimi)
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



