Anija “Moliva” me mbetje të dyshuara të rrezikshme ankorohet në portin e Durrësit

Ka marrë fund qëndrimi në det të hapur, ankorohet në portin e Durrësit anija turke “Moliva” me 2100 ton mbetje të dyshuara toksike.

Pasi bënë xhiron e botës kontenierët me mbetje kthehen aty nga ku u nisën verën e këtij viti, në funksion të hetimit që autoritetet shqiptare nisën.

Hetimi nisi zyrtarisht nga prokuroria e Durrësit në 16 gusht, pas alarmit të dhënë nga organizata mjedisore amerikane Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN).

Pas ankorimit pritet të nisë shkarkimi në kalatë i 102 kontejnerëve dhe më pas nën monitorimin e Policisë së Shtetit zhvendosja e tyre në vendin ku do të depozitohen, një territor i sekuestruar në periferi të Durrësit.

Pas vendosjes së tyre në këtë hapësirë të sigurt, pritet të procedohet me marrjen e kampionëve nga secili kontejnerë dhe dërgimin e tyre në një laborator të specializuar.

Anija me mbetjet e refuzuara nga autoritetet tajlandeze mbërriti në Durrës më 28 tetor. Ajo u la në radën e jashtme të portit detar në pritje të sigurimit të kushteve të kërkuara nga organi i akuzës durrsake për venddepozitimin e tyre që tashmë është përcaktuar.

Prej 10 ditësh anija ndodhej në radën e portit.

Publikuar nga Publik Media