Anulime dhe vonesa, kaos me fluturimet drejt Britanisë
Një defekt teknik në sistemin e kontrollit të trafikut ajror në Britaninë e Madhe ka shkaktuar kaos në oraret e fluturimeve, duke prekur edhe udhëtarët që lëvizin mes Shqipërisë dhe Britanisë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, të paktën 7 fluturime në linjat Tiranë-Londër dhe Tiranë-Mançester janë anuluar ose kanë pësuar vonesa të konsiderueshme. Tre fluturime janë anuluar, ndërsa katër të tjera janë shtyrë me disa orë.
Problemet janë regjistruar në të dyja drejtimet.
Nga Britania drejt Tiranës, është anuluar fluturimi British Airways BA378 nga Heathrow, i cili kishte mbërritjen e planifikuar në orën 23:05.
I anuluar është edhe fluturimi Ryanair UK RK8292 nga Mançesteri, i cili pritej të mbërrinte në Tiranë në orën 21:30.
Ndërkohë, fluturimi i Wizz Air UK nga Londra Luton drejt Tiranës, i planifikuar të mbërrinte në orën 18:35, është shtyrë me më shumë se katër orë, duke kaluar përtej mesnatës.
Vonesa edhe në nisjet nga Rinasi
Problemet kanë prekur edhe fluturimet që nisen nga Tirana.
Fluturimi Wizz Air UK W95005 drejt Londrës Luton, i planifikuar për në orën 19:10, është shtyrë për në 01:00.
Ndërsa fluturimi W95006, i planifikuar për në orën 20:00, është zhvendosur për në 00:30.
Po ashtu, është anuluar fluturimi Ryanair UK RK8293 drejt Mançesterit.
Në listën e fluturimeve të prekura është edhe Wizz Air UK W5460 drejt Londrës Luton, i cili ishte planifikuar të nisej në 00:30, por është shtyrë për në 01:40.
Rreth 1,500 pasagjerë të prekur
Bazuar në kapacitetin e avionëve që operojnë zakonisht në këto linja, rreth 1,500 pasagjerë mund të jenë prekur nga anulimet dhe vonesat, nëse fluturimet kanë qenë pranë kapacitetit të plotë.
Shkak për kaosin është bërë një defekt teknik në sistemin e National Air Traffic Services (NATS), institucioni që menaxhon trafikun ajror në Britaninë e Madhe.
Problemi shkaktoi anulimin dhe vonesën e qindra fluturimeve në aeroportet britanike, duke krijuar efekt zinxhir edhe në destinacionet ndërkombëtare.
NATS njoftoi më pas se defekti ishte zgjidhur dhe se sistemi kishte nisur rikthimin gradual në funksion.
Megjithatë, për shkak të pasojave të krijuara në oraret e fluturimeve, vonesat dhe ndryshimet në itinerare mund të vijojnë edhe gjatë orëve në vazhdim.
Udhëtarëve që kanë fluturime drejt ose nga Britania e Madhe u rekomandohet të kontrollojnë statusin e fluturimit me kompaninë ajrore përpara se të nisen drejt aeroportit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



