E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Apeli i GJKKO padit Ministrinë e Financave dhe Thesarin në Gjykatën Administrative
Lajme

Apeli i GJKKO padit Ministrinë e Financave dhe Thesarin në Gjykatën Administrative

Një përplasje e fortë institucionale për mënyrën e ekzekutimit të pagave të gjyqtarëve të GJKKO-së është zhvendosur tashmë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë.

Më 11 shtator 2026, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përmes Zëvendëskryetarit Dhimitër Lara, ka depozituar një padi kundër Ministrisë së Financave dhe Degës së Thesarit Tiranë. Në proces janë përfshirë edhe Avokatura e Shtetit, ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor është thirrur si person i tretë.

Në qendër të konfliktit është bllokimi i ekzekutimit të pagave për muajin gusht 2026. Sipas kërkesës së paraqitur në gjykatë, GJKKO kundërshton shkresën nr. 14110, datë 2 shtator 2026, të Ministrisë së Financave, përmes së cilës u pezullua ekzekutimi i urdhër-shpenzimeve nr. 190 deri në 196, të dërguara pranë bankave tregtare.

Përmes padisë kërkohet që gjykata të konstatojë paligjshmërinë dhe të shfuqizojë aktin e Ministrisë së Financave, duke i hapur rrugë ekzekutimit të pagesave.

GJKKO e Apelit kërkon gjithashtu që organet financiare të detyrohen të procedojnë menjëherë me listëpagesat, të cilat janë hartuar mbi bazën e Vendimit nr. 435 të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Urdhrit nr. 73 të Zëvendëskryetarit të Apelit të GJKKO-së.

Sipas kërkesës së gjykatës, pagesat nuk duhet të kushtëzohen nga rikthimi i parametrave të pagave në nivelin e muajit korrik.

Përveç padisë në themel, GJKKO ka kërkuar edhe marrjen e një mase sigurimi padie. Synimi është pezullimi i menjëhershëm i efekteve të shkresës së Ministrisë së Financave dhe zhbllokimi i procedurave në sistemin e Thesarit, në mënyrë që pagat të mund të ekzekutohen.

Përplasja për mënyrën e llogaritjes së pagave

Argumentimi ligjor i GJKKO-së mbështetet te Vendimi nr. 15/2026 i Gjykatës Kushtetuese dhe aktet e miratuara më pas nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Në bazë të këtyre akteve është përcaktuar një mënyrë e re për llogaritjen e pagës bazë referuese për Kategorinë I, Klasa I-2. Paga e pozicionit është përcaktuar në 222,425 lekë, ndërsa për kualifikimin parashikohet një shtesë prej 14,000 lekësh.

Sipas qëndrimit të paraqitur në padi, kompetencat e kontrollit financiar nga pushteti ekzekutiv kanë kufij të përcaktuar nga ligji dhe nuk mund të shtrihen deri në pikën ku administrata ndërhyn në vendimmarrjen e organeve të vetëqeverisjes së sistemit gjyqësor.

GJKKO argumenton se kontrolli financiar nuk mund të përdoret si mekanizëm për të pezulluar në praktikë zbatimin e akteve të miratuara nga organet kompetente të sistemit gjyqësor.

Një tjetër çështje e ngritur në padi lidhet me faktin se bllokimi i procedurave të Thesarit nuk ka prekur vetëm gjyqtarët, por edhe punonjësit e administratës gjyqësore. Për këtë kategori, sipas argumentimit të paraqitur, nuk ekziston një konflikt apo paqartësi ligjore që të justifikojë ndalimin e pagave.

Pretendimi për “dy standarde”

Në padinë e depozituar në Gjykatën Administrative ngrihet edhe pretendimi për një trajtim me dy standarde nga institucionet ekzekutive.

Sipas argumentimit të GJKKO-së, detyrimet fiskale dhe kontributet shoqërore janë llogaritur dhe mbajtur mbi bazën e parametrave të pagës së re, ndërkohë që ekzekutimi i vetë pagave është ndaluar.

Kjo situatë, sipas gjykatës, krijon një mospërputhje mes mënyrës së trajtimit të detyrimeve që lidhen me pagën dhe procesit të pagesës së saj.

Në një zhvillim të lidhur drejtpërdrejt me këtë konflikt, Gjykata Administrative ka vendosur më 11 shtator që të procedohet me pagesën e gjyqtarëve të GJKKO-së, duke ndërhyrë kështu në ngërçin e krijuar mes institucioneve financiare dhe sistemit gjyqësor.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.