Apeli i GJKKO-së, si çakalli që bën kërdinë
Ish-ministri dhe juristi Ylli Manjani ka reaguar me ashpërsi në rrjetet sociale, duke komentuar rastin e Aurel Zarkës dhe funksionimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar (GJKKO).
Sipas Manjanit, çështja e Zarkës tregon shkelje flagrante të ligjit procedural. Ai rikujtoi nenin 425, sipas të cilit apeli përkeqësues nga i pandehuri është i ndaluar, dhe theksoi se në rastin e Zarkës, Apeli i GJKKO sugjeroi rritjen e dënimit dhe vendosjen e rrethanave rënduese, pa asnjë kërkesë nga prokurorët e SPAK.
“Është po e njëjta gjykatë që ka tentuar të rëndojë pozitën e Lefter Kokës në çështjen e inceneratorit të Fierit. Atëherë Gjykata e Lartë e rrëzoi vendimin, duke konfirmuar qartë se apeli nuk mund të rëndojë pozitën e të pandehurit. Por GJKKO nuk ndalet as nga ligji, as nga Gjykata e Lartë”, shkruan Manjani.
Juristi e quan Apelin e GJKKO një “gjykatë antikushtetuese dhe anti-njeri”, që sipas tij, është bërë rutinë në shkeljen e autoritetit të Gjykatës së Lartë dhe të ligjit në përgjithësi.
“Apeli i GJKKO është sot mbi ligjin, mbi Kushtetutën dhe mbi çdo gjykatë tjetër, duke u shndërruar në një krematorium të të drejtave kushtetuese të shqiptarëve”, thekson Manjani. Ai paralajmëron se deri sa institucionet monitoruese dhe vendimmarrëse të reagojnë, qytetarët janë të pambrojtur dhe halli i tyre mund të kthehet në tmerr personal.
Reagimi i plotë:
Rasti i Aurel Zarkës, në fakt jo i vetmi, është kulmi skandalit që një gjykatë apeli mund të bëjë.
Sa për informacion, sipas ligjit procedural (shih nenin 425) apeli përkeqësues, kur apelon i pandehuri është i NDALUAR.
Pra me pak fjalë, je dënuar në shkallë të parë dhe ankohesh në apel ti e jo prokurori, Apeli nuk mund të të rëndojë më shumë pozitën.
Fiks kjo gjë që ndalohet i ka ndodhur Aurel Zarkës. Apeli i GJKKO sugjeron që të dënohet më shumë dhe në rrethana rënduese. Nuk ja kërkuan këtë gjë prokurorët e SPAK-ut gjykatës. E bën vetë ajo, në kundërshtim me çdo parim, nen e ligj të këtij rruzulli.
Është po e njëjta gjykatë që bën thuajse të njëjtën gjë me Lefter Kokën në çështjen e inceneratorit të Fierit. Në këtë rast Gjykata e Lartë e rrëzoi Gjykatën e Apelit, duke saktësuar pikërisht principin se apeli NUK MUND TË RËNDOJË pozitën e të pandehurit.
Por, Apeli i GjKKO nuk ndalet as nga ligji e as nga Gjykata e Lartë. Nuk e ndal askush këtë gjykatë antiligj, monstruoze e anti-njeri.
Apeli i GJKKO është sot mbi ligjin, mbi Kushtetutën e mbi çdo gjykatë tjetër, përfshi edhe atë të lartën.
Veçanërisht injorimin e autoritetit Kushtetues të Gjykatës së Lartë dhe të vendimeve njehsuese të saj, Apeli i GJKKO e ka bërë rutinë të saj!
E pabesueshme, por e vërtetë!
Është alarmante kjo situatë antikushtetutë e antiligj!
Gjykata, veçanërisht apeli, duhet të jetë garanci jo krematorium inkuizicioni. APELI i GJKKO është sot krematorium i të lirive dhe të drejtave kushtetuese të shqiptarëve, që halli i çon atje.
Asnjë lidhje nuk ka me sistemin demokratik akuzator të gjykimit.
Se themi vazhdimisht ne ujku-ujku për SPAK-un, por çakalli dmth Apeli i GJKKO bën kërdinë.
Ajo gjykatë duhet të marrë goditjen më të fortë të mundshme që shkruajnë ligjet, sepse ata nuk mund të jenë mbi ligjin dhe nuk mund të injorojnë gjykatat superiore të Republikës.
Ndërkohë, deri sa të zgjohen institucionet monitoruese e vendimmarrëse në këtë vend, mos u rëntë halli o njerëz!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



