Arben Ahmetaj ironizon ministren Erjona Ismaili: Kush është kjo?
Përplasja vjen pas deklaratave të forta për trafikun e armëve dhe pretendimeve që kanë përfshirë emra të njohur të politikës shqiptare
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, e cila e kishte ftuar publikisht të përballej me drejtësinë pas akuzave të tij ndaj qeverisë.
Në një prononcim për mediat, Ahmetaj u shpreh se nuk e njihte ministren dhe vuri në pikëpyetje edhe identitetin e saj politik.
“Kush është kjo? Pse, ka një ministre me emër të tillë? Ekzistojnë të tillë? Sepse nuk e di në rast se ju e njihni si gazetar, po unë nuk e njoh”, deklaroi Ahmetaj për “CNA”..
Ish-zëvendëskryeministri vijoi me një tjetër përgjigje ironike ndaj ministres, duke thënë: “Shprehini falënderimet e mia qyqes”.
Reagimi i Ahmetajt erdhi pasi Ismaili ishte pyetur nga gazetarët për deklaratat e tij të fundit, në të cilat ai kishte ngritur akuza të rënda lidhur me pretendime për trafik armësh.
Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja i ishte përgjigjur publikisht Ahmetajt, duke deklaruar se ai duhet të përballej me drejtësinë dhe jo të hidhte akuza ndaj qeverisë.
“Zotëria, siç hedh llum ndaj punëve të qeverisë, të gjejë guximin dhe të vijë të përballet me drejtësinë”, tha Ismaili.
Çfarë deklaroi Ahmetaj për trafikun e armëve?
Përplasja e fundit mes Ahmetajt dhe ministres vjen në një kohë kur ish-zëvendëskryeministri ka bërë deklarata të forta publike lidhur me pretendime për trafik armësh dhe persona që, sipas tij, kanë lidhje me nivele të larta të pushtetit.
Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë, Ahmetaj pretendoi se disponon një audiopërgjim të regjistruar në janar të vitit 2026, me kohëzgjatje rreth tre orë, ku sipas tij diskutohen çështje që lidhen me trafikimin e armëve.
Në deklaratat e tij, ai përmendi edhe emra konkretë, mes tyre Ron Yeffet, për të cilin tha se ka pasur një marrëdhënie të hershme me kryeministrin Edi Rama.
“Bëhet fjalë për personazhin shumë të njohur në Shqipëri tashmë, Ron Yeffet. Është parë në Shqipëri në 2008 dhe ka një marrëdhënie të hershme me Ramën. Ka 3 pasaporta, shqiptare, amerikane, izraelite. Është personi që Rama i ka kërkuar t’i japë borxhin e Shqipërisë. Është i janarit 2026”, është shprehur Ahmetaj.
Ai pretendoi gjithashtu se në audiopërgjim flitet për trafik armësh nga vende të Afrikës, të cilat, sipas tij, paketohen në Shqipëri.
Në këtë kuadër, Ahmetaj përmendi edhe ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, duke bërë pretendime të tjera lidhur me rolin e tij.
“Audio-përgjimi do ketë elementë të trafikut të armëve, nga Ermal Raketa (Nufi)”, deklaroi Ahmetaj, duke shtuar se sipas tij bëhet fjalë për armë që vijnë nga vende afrikane dhe paketohen në Shqipëri për t’u përdorur më pas në zona konfliktesh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



