Argjentina mposht 3-1 Zvicrën dhe gjen Anglinë në gjysmëfinale
Angli–Argjentinë do të jetë një nga dy superpërballjet e gjysmëfinaleve të Kupës së Botës 2026. Kampionët në fuqi vuajtën për 120 minuta ndaj Zvicrës, por në fund triumfuan 3-1 dhe siguruan biletën për në katërshen më të mirë të turneut.
Argjentina është vetëm një ndeshje larg finales së madhe të Botërorit. Mëngjesin e kësaj të diele, me orën shqiptare, skuadra e Lionel Scalonit mposhti 3-1 Zvicrën pas kohës shtesë, në një sfidë dramatike të zhvilluar në Kansas.
Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për amerikano-latinët. Lionel Messi dhuroi asistin për Mac Allister, i cili me kokë dërgoi topin në rrjetë dhe kaloi Argjentinën në avantazh.
Me këtë pasim final, Messi regjistroi asistin e tij të dhjetë në Kupat e Botës, duke vendosur një tjetër rekord në historinë e kompeticionit.
Por Zvicra, me Granit Xhakën në fushë, nuk u dorëzua. Në minutën e 67-të, Ndoye realizoi një gol të bukur dhe riktheu baraspeshën, 1-1.
Vetëm pesë minuta më vonë, zviceranët mbetën me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq të Embolos. Vendimi për kartonin e dytë të verdhë shkaktoi protesta të forta te lojtarët e Zvicrës, me Xhakën dhe shokët e tij që kundërshtuan ashpër gjykimin.
Pavarësisht epërsisë numerike, Argjentina nuk arriti të gjente golin e fitores brenda 90 minutave dhe koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1.
Drama vijoi në shtesë. Në minutën e 112-të, Julian Alvarez realizoi një supergol dhe kaloi sërish Argjentinën në avantazh.
Goditjen përfundimtare e dha Lautaro Martinez në minutën e 120+1, duke vulosur rezultatin 3-1 dhe kualifikimin e kampionëve të botës në gjysmëfinale.
Argjentina do të përballet më 15 korrik, në orën 21:00, me Anglinë, në një nga sfidat më të shumëpritura të këtij Botërori.
Me këtë ndeshje mbyllet edhe faza çerekfinale. Dy çiftet gjysmëfinaliste janë Francë–Spanjë dhe Angli–Argjentinë.
Kupa e Botës 2026 – Gjysmëfinalet:
14 korrik, ora 21:00 – Francë–Spanjë
15 korrik, ora 21:00 – Angli–Argjentinë
Rezultatet e çerekfinaleve:
9 korrik – Francë 2-0 Marok, Boston
10 korrik – Spanjë 2-1 Belgjikë, Los Angeles
11 korrik – Norvegji 1-2 Angli, Miami
12 korrik – Argjentinë 3-1 Zvicër, Kansas
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



