Arlind Qori në protestën e pensionistëve: Mos u ndalni derisa mali i padrejtësive të bëhet hi
Për herë të dytë në pak ditë, pensionistët protestuan sërish këtë të mërkurë para Kryeministrisë, duke kërkuar rritje të pensioneve.
Ata kërkuan që mos të ketë pensione më të ulëta se sa paga minimale. Një tjetër kërkesë ishte dhe miratimi i minimumit jetik. Indeksimi që bëri qeveria, sipas tyre, është i pamjaftueshëm, ashtu si edhe bonusi i fundvitit që është lajmëruar nga kreu i qeverisë Edi Rama.
“Pa pension jam unë dhe gruaja. Vij nga Shkodra. Më kanë dënuar siç kanë dënuar priftërinjtë. Origjinal kështu më kanë dënuar dhe mua. Nuk mund t’u biem më qafë fëmijëve. Çfarë t’i kërkoj djalit unë. Ka dy fëmijë, 3 fëmijë. Këta janë kriminelë”, tha një pensionist.
“Protesta jonë e parë e tmerroi Edi Ramën. Në vend që të na japë rritjen, thotë do u jap bonusin. Çfarë bonusi, ai është përcaktuar në ligj. Del ky dhe thotë se janë 10 milionë turistë që erdhën, ku janë lekët? Ku është pjesa që na takon ne”, u shpreh një tjetër.
“Kemi dal për korrupsionin dhe për pensionet. Nëse nuk do bëhej korrupsion këtu, ne do merrnim hakun tonë. Hakun tonë do merrnin, nuk duam hajdutllëqet e atyre. Unë marr 240 mijë lekë, më mbajnë çunat, Ça kusuri ka të më mbajë djali”, u shpreh një pensioniste.
“Ne dhunohemi rëndë nëpër zyra. Nuk më bëjnë legalizime, nuk na ofrojnë shërbim. Në protestë kërkoj që ky kryeministri të ketë kujdes nëpër zyra, edhe të shohi këto pensionet”, ishte prononcimi i një tjetër protestuesi.
Ndërkohë një ish-minator kërkoi që qeveria Rama të rishikojë Statusin e Minatorit.
“Kemi dalë këtu për të drejtat tona. Jam minator i Memaliajt dhe sot marr një pension qesharak. Kërkojmë të drejtat tona për rritjen e pensioneve. I bëjmë thirrje qeverisë të shikojë statutin e minatorëve”, tha ai.
Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, në protestën e pensionistëve para Kryeministrisë është shprehur se qeveria e ka justifikim mungesën e parave për rritjen e pensioneve.

Ai u shpreh se po të krahasosh pagat e deputetëve me pensionin minimal në Itali, janë 10 fish më të lartë, ndërsa në Shqipëri 41 herë më të larta.
“Qeveria e Edi Ramës justifikohet se nuk i rrit pensionet se nuk ka para. E njëjta qeveri thotë se PBB është dyfishuar. E njëjta qeveri justifikohet se nuk ka para, e njëjta thotë se 4 miliardë euro ka fituar nga turizmi. 1 miliardë lekë mjaftojnë për rritjen e pensionit dhe që pensioni minimal të ishte 220 euro.
Në Italinë e zhvilluar, rroga e deputetit është sa 10-fishi i pensionit minimal. Në Shqipëri 41 herë më lartë, në vendin që ka pensionet më të ulëta në Europë.
Ne nuk mund të bëhemi Italia, Gjermania dhe Zvica, por mund të bëhemi si vendet e rajonit. Shqipëria ka pension mesatar 180 euro në muaj. Si ka mundësi që fqinjët tanë në të njëjtin nivel ekonomik si ne ka pensione të larta? Ua them unë, kemi qeverinë më të korruptuar dhe më të paafta”, tha Qori.
Ai inkurajoi pensionistët ta vazhdonin protestën, teksa u tha se janë shpresa më e madhe që ka Shqipëria.
“Ju me këtë protestë, e keni gozhduar Edi Ramën. Kurrë nuk ka qenë në vështirësi sa protestat e studentëve në 2018. Atë që arritën 30 mijë student, e arritët ju këtu. Mos u ndalni, motra dhe vëllezër. Jemi sot grushti i fuqishëm që i bjerë malit të korrupsionit. Do të protestojmë derisa mali i padrejtësive të bëhet hi. Ju e keni mundësinë të bëheni lokomotiva e shoqërisë. Jeni shpresa më e madhe që ka Shqipëria sot”, tha Qori.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



