Arrestimi i Ermal Beqirit në Francë, Fevziu ngre pikëpyetjet e forta
“Me 220 mln euro mund të blinte edhe Pallatin Elysee!”
Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar pas arrestimit në Francë të biznesmenit Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t. Sipas të dhënave hetimore, Beqiri dyshohet se kishte ndërtuar një portofol të gjerë pasurish në Francë, që përfshinte një kështjellë luksoze, apartamente, llogari bankare dhe madje edhe një avion privat.
Në qëndrimin e tij publik, Fevziu thekson se vëmendja nuk duhet të përqendrohet te luksi i pasurive, por te një problem shumë më i thellë: si ka qenë e mundur që një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar të jetonte për një kohë të gjatë i lirë në një vend të Bashkimit Europian.
Sipas tij, pikëpyetja më e madhe lidhet me funksionimin e mekanizmave të sigurisë dhe bashkëpunimit mes autoriteteve ndërkombëtare. Ai nënvizon se është e pazakontë që një individ me “njoftim të kuq” dhe i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, të zotërojë pasuri të konsiderueshme dhe të operojë lirisht pa u ndaluar.
Fevziu sjell në vëmendje edhe përmasat e kontratave që kompania e Beqirit dyshohet se ka përfituar nga fondet publike përmes tenderave të AKSHI-t, duke ironizuar mbi vlerat e tyre dhe ndikimin që kanë pasur në krijimin e kësaj pasurie të madhe.
Ai shton se rasti ngre shqetësime serioze për mënyrën se si individë të kërkuar për çështje të rëndësishme arrijnë të qëndrojnë dhe të veprojnë në territorin europian pa u identifikuar apo ndaluar në kohë.
Në përfundim, gazetari thekson se kjo çështje duhet të shërbejë si një alarm për forcimin e kontrollit dhe koordinimit ndërkombëtar, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten.
REAGIMI I FEVZIUT
Kam gjithë ditën që i lexoj lajmet se pse Ermal Beqiri ka blerë kështjellë në Francë. Në fakt, çudia më e madhe nuk është as kështjella dhe as avioni, se edhe unë hipa sot në një dron-taksi që fluturon. Problemi kryesor me 220 milionë që ka marrë kompania e tij, mund të kishte blerë ndoshta edhe Pallatin Elysee, jo vetëm një kështjellë.
Çështja kryesore është se si mundet një person në kërkim, me njollë të kuqe, që quhet një ndër personat më të rrezikshëm, ishte pronar i dy apartamenteve, një kështjelle, dy llogarive bankare me 2 milionë euro, kishte avion privat që fluturonte në Francë dhe nuk ishte identifikuar as nga drejtësia, as nga policia.
Një person në kërkim me njollë të kuqe nuk mund të rrinte në pronat e tij të evidentuara në emër të tij. Dhe, mbi të gjitha, ose ka qenë në përgjim nga policia për të parë lidhjet që kishte dhe e kanë lënë vetë, ose ka falimentuar i gjithë sistemi i sigurisë në Europë.
Kjo është pikëpyetja më e madhe dhe shqetësimi më i madh, më shumë sesa fakti që ai kishte blerë një kështjellë në Francë, sepse me aq para sa kishte, mund të kishte blerë edhe Pallatin Elysee. Çfarë po ndodh realisht me persona të tillë që qëndrojnë në mes të vendeve europiane, ndërkohë që kërkohen për afera të tilla? Kjo është pikëpyetja më e madhe.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



